Qytetarë u mblodhën në protestë para spitalit të Lushnjës, duke ngritur shqetësime për gjendjen e shërbimeve shëndetësore dhe kushtet e tij. Protestuesit kërkuan ndërhyrje të menjëhershme për një sërë problematikash që sipas tyre, po rëndojnë prej kohësh mbi pacientët e zonës.
Ndër kërkesat kryesore ishte rikthimi i shërbimit të dializës në Lushnjë për 52 pacientë kronikë, që detyrohen të udhëtojnë në qytete të tjera për të marrë trajtimin e nevojshëm.
Qytetarët kërkuan edhe rikthimin e të tjera shërbimeve spitalore që po kryhen në Tiranë, Fier apo Durrës, duke argumentuar se pacientët përballen me vështirësi dhe kosto shtesë.
Mes shqetësimeve të ngritura, mungesa e analizave laboratorike, që sipas protestuesve i detyron qytetarët t’i kryejnë në laboratorë privatë, si dhe mungesa e medikamenteve, për të cilat pacientët e shtruar shpesh detyrohen të paguajnë nga xhepi.
Protestuesit kërkuan edhe rikonstruksionin e godinave të spitalit dhe përmirësimin e ushqimit për pacientët.
Në protestë ishin të pranishëm edhe deputeti demokrat, Saimir Korreshi e kryetari i PD-së në Lushnjë, Gentian Çela.
Qytetarët paralajmëruan se nëse nuk do të ketë reagim nga Ministria e Shëndetësisë, protestat do të përshkallëzohen.