Bota Rajoni

Kosova, Lindja e Mesme, Ukraina në fokus të një takimi të BE-së!

Kosova dhe Serbia sot janë pjesë e axhendës së Këshillit të Punëve të Jashtme të BE-së, i mbledhur nën drejtimin e kryediplomatit të Unionit, Josep Borrell. Në mënyrë të veçantë do të diskutohet për gjendjen pas sulmit ndaj policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit, ku më 24 shtator mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku. BE-ja iu kërkon palëve t’i rikthehen zbatimit të detyrimeve në kuadër të dialogut të Brukselit.

Por, padyshim që fokusi i Bashkimit Europian mbetet te lufta Izrael-Hamas e që vijon prej 7 tetorit në Lindjen e Mesme. Jashtë vëmendjes nuk mbetet as mbështetja për Ukrainën në luftën kundër Rusisë.

Kur është fjala për Lindjen e Mesme, pyetja kryesore është se si mund të ndihmojë Bashkimi Europian në parandalimin e një përshkallëzimi rajonal të konfliktit, që ka kulmuar në luftime e bombardime të ashpra. Udhëheqës nga shtete si Gjermania theksojnë të drejtën e Izraelit për vetëmbrojtje.

Në lidhje me Ukrainën, paneli duhet të sqarojë në muajt e ardhshëm se si Bashkimit Europian duhet që të marrë pjesë në angazhimet e planifikuara të sigurisë nga Perëndimi. Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell ka sugjeruar marrjen e zotimeve afatgjata të financimit për ndihmën ushtarake e po ashtu përdorimin e parave të Unionit për të mbështetur shpërndarjen e avionëve luftarakë e të raketave moderne.

Në mënyrë të veçantë, Borrell ka kërkuar mobilizimin e një fondi prej 5 miliardë eurosh (5.3 miliardë dollarë) çdo vit nga 2024-ta e deri në fund të 2027-ës. Në takimin e sotëm nuk priten vendime të mëdha. Një numër shtetesh anëtare të BE-së, deri më tani kanë hezituar që të ndërmarrin angazhime të reja financiare afatgjata për Ukrainën.

Një tjetër temë në takimin ministror është konflikti midis Armenisë dhe Azerbajxhanit për rajonin e Nagorno-Karabakut. Gjithashtu, pas takimit do të ketë bisedime me përfaqësues të Kazakistanit, Kirgistanit, Taxhikistanit, Turkmenistanit e Uzbekistanit.