Katër muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve, Kuvendi i Kosovës ende nuk është konstituuar ndërsa deputetët vazhdojnë të paguhen rregullisht me paga mujore që kapin shumën mbi 1,500 euro, pavarësisht mungesës së punës efektive. Ata po vazhdojnë të paguhen, edhe pse nuk po bëjnë punë efektive. Legjislatura e 9-të e Kuvendit po vazhdon të mbetet e pa konstituuar, edhe pse tashmë janë bërë gati katër muaj nga përfundimi i zgjedhjeve.
Edhe tentativa e 26-të ka dështuar e pavarësisht këtyre dështimeve dhe mos punës, atyre pagat po u dalin në llogari. Eugen Cakolli, hulumtues në Institutin Demokratik të Kosovës ka thënë se ndonëse Kuvendi po qëndron i bllokuar për disa muaj deputetët nuk po mërziten për këtë çështje. Kjo për shkak se ata po vazhdojnë të marrin paga.
Në total, mbi 300 mijë euro paga nga taksat e qytetarëve për më pak se dy orë punë efektive, e pa asnjë vendim të marrë, shkroi Cakolli në Facebook.
Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi tregoi se sa janë duke u paguar deputetët.
Sipas Ligjit për Pagat në Sektorin Publik, paga bruto mujore e një deputeti është afërsisht 1,859 euro, deri më 30 qershor 2025. Pas kësaj date paga bëhet 1,914 euro.
Ai shton se madje parlamentarët kanë të përfshirë mëditjet në pagën e tyre fikse mujore.
Mëditja është integruar në pagën e tyre fikse mujore, ku legjislatura e 8-të e ka bërë këtë ndryshim. Deputetët nuk përfitojnë më kompensime/mëditje shtesë për pjesëmarrje në seanca plenare, përfshirë edhe ato për tentativat për konstituim të Kuvendit.
Për pagat e tyre janë pyetur edhe disa deputetë, nëse po i marrin. Mirëpo, disa prej tyre nuk u pëlqen të pyeten nëse i meritojnë ato.
Nja 1500 euro na kanë dalë pa komisione apo shtesa të tjera. Kjo paga bazë është se po mendojnë që marrim mëditje, e kam një pagë, tha Bekë Berisha, deputet i AAK-së.
Kjo pyetje nuk i pëlqeu deputetit të PDK-së, Rashit Qalaj, i cili i tha gazetarëve se nuk është punë e tyre të diskutojnë për pagat e deputetëve.
Mendoj se nuk është e juaja të diskutoni për pagën e deputetit.
Për çështjen e pagave u pyet edhe deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, i cili deklaroi se kjo është çështje procedurale e ligjore.
Nuk vendos unë për pagën, është çështje procedurale dhe ligjore. Puna po bëhet, seancat thirren sipas rregullores. Deputetët kanë detyrim të marrin pjesë dhe të përfaqësojnë qytetarët, kjo është përgjegjësi kushtetuese.
Nezir Kraki deputet nga Vetëvendosje tha se nuk e di nëse i ka dalë paga dhe as nuk e di sa është paga e deputetit. Paga bazë e një deputeti në Kosovë është 1,547 euro në muaj ose 18,564 euro në vit. Kompensimi mujor për pjesëmarrje në seanca plenare është 240 euro, ndërsa kompensimi për mbledhje të komisioneve është 160 euro.
Të 120 deputetët kanë edhe të drejtën e mbulimit të shpenzimeve të qëndrimit dhe udhëtimit brenda dhe jashtë vendit me detyra zyrtare. Deri më tani, deputetët kanë kaluar vetëm dy pika të agjendës së seancës së konstituimit: raportin e Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve dhe atë të betimit të deputetëve. Por, procesi ka ngecur te pika e tretë: zgjedhja e kryeparlamentarit.
Kandidatja e LVV-së për kryetare të Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, po konsiderohet si figurë përçarëse nga dy parti parlamentare: PDK-ja dhe AAK-ja. Këto dy subjekte kanë kërkuar që LVV-ja të nxjerrë emër tjetër për kryeparlamentar. LDK-ja ka thënë se nuk ka vota për asnjë të propozuar të LVV-së për postin e kryeparlamentarit.
Propozimi për kryeparlamentar është e drejtë ekskluzive e fitueses së zgjedhjeve, LVV-së, e cila ngul këmbë se Haxhiu e meriton të zgjidhet dhe ndonëse ka kërkuar marrëveshje politike me partitë e tjera, e ka përjashtuar mundësinë të sjellë kandidat tjetër pos saj. Deputetët duhet ta zgjedhin kryetarin dhe pesë nënkryetarët për ta konstituuar përfundimisht Kuvendin e ri. Vetëm pas konstituimit të Kuvendit mund të formohet Qeveria e re./ Fatos Shala