Me urdhër të Gjykatës Themelore të Ferizajt, Policia e Kosovës po kryen një aksion për të sekuestruar kamera të sigurisë, të vendosura nga strukturat ilegale serbe në Shtërpcë. Prokurori Rasim Maloku i tha Radios Evropa e Lirë se po zhvillohet në katër vende, përfshirë godinën e komunës së strukturave ilegale serbe.
Jemi duke zbatuar një urdhër të gjykatës për kontrollin dhe sekuestrimin e pajisjeve për monitorimin e kamerave të sigurisë të vendosura në komunë, nëpër rrugë publike nga strukturat ilegale. Kjo nuk është e lidhur me rastin “Brezovica”, që ka të bëjë me abuzimet në dhënien e lejeve të ndërtimit në qendrën turistike të Brezovicës. E vetmja lidhje është se ish-kryetari i komunës, Bratisllav Nikoliç ka qenë edhe koordinator i strukturave ilegale në Shtërpcë.
Monitorimi përmes të cilit identifikohen individët, nuk lejohet nga asnjë institucion, me përjashtim të policisë, në raste të veçanta. Në një reagim, Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë pretendon se “qëllimi i këtij aksioni është frikësimi e keqtrajtimi i serbëve në Shtërpcë”.
Forcat policore hynë në një shkollë fillore në Brezovicë, në zyrat e postës serbe në fshatin Drajkovcë e po ashtu u kontrolluan mjediset e selisë së komunës, nga ku u mor i gjithë dokumentacioni e kompjuterët. Kontrolle pati edhe në televizionin lokal, Herc e nga shtyllat e ndriçimit u hoqën kamerat, të vendosura 10 vjet më parë, por nuk funksionojnë dhe Prishtina zyrtare e di këtë. Nuk ka dyshime se ky është sulm i ri dhe presion mbi serbët që të largohen nga shtëpitë.
Përmes institucioneve që ka në Kosovë, dhjetorin e kaluar, Serbia bleu sistemin e mbikëqyrjes së kompanisë kineze Dahua, e sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Blerja u bë për shkollat në 12 komuna të Kosovës, ndërsa ofrohej edhe opsioni i identifikimit të fytyrave. Sipas Departamentit Amerikan të Tregtisë, Dahua Technology është kompani kineze, e cila që nga viti 2019 gjendet në listën e zezë të SHBA-ve për shkak të rolit së saj në shkeljet e të drejtave të njeriut dhe fushatën kineze të represionit kundër ujgurëve në provincën kineze Xinjiang.