Në Kuvendin e Shqipërisë, seanca plenare që startoi rreth orës 10:00 për t’u ndërprerë më 11:00, rinis në orën 15:00. Pritet miratimi i marrëveshjes së huasë 302 milion dollarëshe me Shtetet e Bashkuara, në kuadër të financimit të jashtëm ushtarak.
Me 75 vota pro dhe kundërshtime nga deputetë të opozitës që u mblodhën te foltorja, u miratua futja me procedurë të përshpejtuar.
Gazment Bardhi shprehu shqetësimin se demokratët nuk e disponojnë. Sipas tij, Kushtetuta detyron shpërndarjen te deputetët, por shtoi se kjo s’ka ndodhur. Kreu i grupit parlamentar demokrat vuri në dukje se akordi është i mirëpritur dhe akuzoi qeverinë se nuk ka përmbushur dot angazhimin për sigurinë si vend anëtar i NATO-s.
Më pak se 2% është buxheti i mbrojtjes së Shqipërisë në shkelje të angazhimit në NATO ndërkohë që Rama mburret publikisht duke gënjyer. Qeveria po përpiqet të korrigjojë me nxitim dëmin që i shkakton besueshmërisë së Shqipërisë.
Ndërkaq, numri 1 i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, u shpreh se marrëveshja e huasë prej 302 milion dollarësh është dëshmi e besimit të SHBA-ve ndaj Shqipërisë. Parashikon investime për mbrojtjen edhe në kuadër të angazhimit që Shqipëria ka ndaj NATO-s. Vendi ka 48 muaj kohë për të aktivizuar fondet dhe 12 vjet për t’i shlyer.
Ky financim do të përdoret ekskluzivisht për modernizimin e Forcave të Armatosura, pajijsje dhe shërbime të mbrojtjes sipas standardeve më të larta të NATO-s.
E ndërsa marrëveshja për kredi 302 milion dollarë nga Shtetet e Bashkuara hyri në diskutime me procedurë të përshpejtuar, Sali Berisha akuzoi se kjo procedurë po bëhet në kundërshti me Kushtetutën dhe se Partia Demokratike, nuk do ta votojë.
Berisha theksoi se Partia Demokratike e mbështet marrëveshjen, por kundërshton procedurën që sipas tij, “shkel afatet kushtetuese dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese”.
Ka një përcaktim kushtetues, i cili nuk lejon votimin me procedurë të përshpejtuar pa një afat minimal njëjavor.
Deri në rifillimin e seancës, marrëveshja do të kalojë per shqyrtim në një mbledhje të përbashkët mes komisioneve të Sigurisë dhe Ekonomisë. Pas miratimit, kalon për votim në seancë plenare. Ndërkaq, qytetarët mbyllën protestën e paradites, për të vijuar me tubimin e radhës, në orën 19:00.