Rajoni

Kosovë, LDK kërkon debat parlamentar për rritjen e çmimeve!

Në Kosovë, partia opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës do të kërkojë mbajtjen e një debati parlamentar për rritjen e çmimeve, ndërsa sot një litër naftë po shitet mbi 1.80 euro. Në një konferencë për shtyp, deputeti i LDK-së, Besian Mustafa, tha se deri në tejkalimin e krizës do të kërkojnë edhe miratimin e një rezolute për uljen e akcizës e të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar për produktet thelbësore.

Çmimi i litrit të naftës ka tejkaluar vlerën 1.80 euro dhe po shkon drejt 1.90 eurove. Nëse për një periudhë të caktuar do të hiqeshin plotësisht akciza dhe TVSH-ja, çmimi do të ulej në afro 1.20 euro. Pra, kjo Qeveri po u merr qytetarëve të Kosovës rreth 60 centë për çdo litër naftë që konsumojnë.

Me qëllim rregullimin e çmimeve të naftës, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë njoftoi se “Qeveria pritet të nxjerrë akt nënligjor”.

MINT-i ka përgatitur draftin dhe po zhvillon konsultime intensive, që sa më parë të vijohet me miratimin në Qeveri. Vendimmarrja pritet të ndodhë së shpejti.

Por, Mustafa tha se një propozim i tillë nuk është i mjaftueshëm.

Sot paskan menduar të vendosin të ulin me 12 centë çmimin e litrit të naftës. Ky propozim është i vonuar, i papranueshëm dhe me një efekt superminimal në xhepin e qytetarëve të Kosovës.

Shoqata e hidrokarbureve të Kosovës pritet të vendosë po sot në lidhje me propozimin e Qeverisë për rregullimin e çmimeve të naftës, ndërsa në media raportohet se mund të mbyllë edhe pompat, nëse kundërshton mundësinë e rregullimit të çmimit të naftës nga ekzekutivi. Qytetarët në Kosovë po përballen me rritje të çmimeve të produkteve bazë, kur sipas të dhënave zyrtare, inflacioni ka qenë 11.2 për qind në muajin prill. Deri tani, kabineti i kryeministrit Albin Kurti kishte caktuar një çmim maksimal për periudhën 3 mars-31 maj.