Rajoni

Kosovë, PDK-ja paralajmëron ZRRE-në me padi ligjore!

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) sot bëri ankesë ndaj vendimit të rregullatorit për liberalizimin e tregut të energjisë për bizneset e mëdha në vend, duke thënë se do të ngrejë padi në gjykatë, nëse vendimi nuk shfuqizohet brenda 15 ditëve. Deputeti Abelard Tahiri tha në Prishtinë se partia dorëzoi kundërshtim administrativ në Zyrën e Rregullatorit për Energjinë (ZRRE).

ZRRE-ja duhet ta pezullojë menjëherë zbatimin e këtij vendimi, në të kundërtën pas 15 ditësh PDK-ja do të procedojë në Gjykatën Themelore të Prishtinës, ku do të kërkohet që sa më parë t’i vihet masë e përkohshme zbatimit.

Vendimi i ZRRE-së për liberalizimin e tregut të energjisë hyn në fuqi më 1 qershor dhe nënkupton se të gjitha bizneset e mëdha nuk do të furnizohen më me energji përmes tarifave të rregulluara, por duhet të gjejnë vetë furnizuesin e tyre në tregun e lirë. Nëse nuk arrijnë ta bëjnë këtë, automatikisht kalojnë në treg të hapur me çmime të parregulluara.

Tahiri argumentoi se vendimi i ZRRE-së përbën “një goditje të rëndë ndaj ekonomisë së vendit, duke rrezikuar falimentime masive, rritje të papërballueshme të çmimeve e një valë të re inflacioni që godet qytetarët dhe konsumatorët”. Ky vendim vlen për kompanitë me mbi 50 të punësuar ose me qarkullim vjetor mbi 10 milion euro. Në Kosovë janë të regjistruara mbi 1.000 kompani të tilla që konsumojnë rreth 37% të energjisë së përgjithshme të shpenzuar.

ZRRE-ja ka vepruar pa marrë parasysh reagimet e shoqërisë civile, odave ekonomike dhe organizatave profesionale e pa përmbushur as parakushtet që vetë i kishte përcaktuar për një proces të sigurt dhe të drejtë të liberalizimit të tregut.

Përfaqësuesit e bizneseve thonë se janë kundër liberalizimit të tregut të energjisë, se nuk janë bërë përgatitjet e nevojshme për këtë ndryshim. Ata kërkojnë që ky vendim të shtyhet për një vit.

Kjo çështje, dje nxori në rrugë qindra përfaqësues të bizneseve, që i bllokuan përkohësisht hyrjet në kryeqytet në shenjë proteste për liberalizimin e tregut të energjisë. Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti kritikoi Odën Ekonomike të vendit duke thënë se “nuk ka bërë asgjë” për t’i përgatitur ato për procesin.

ZRRE-ja qëndron pas vendimit të saj, teksa thekson se “mund të kundërshtohet vetëm përmes rrugëve ligjore”. Tahiri vuri në dukje se “nuk ka kushte” për një treg të hapur, të drejtë e konkurrues.