Qeveria e Kosovës miratoi draft-strategjinë e sigurisë 2022-2027, që sipas kryeministrit Albin Kurti përfshin rreziqet, kërcënimet dhe sfidat e vendit në fushën e sigurisë. Gjatë mbledhjes së ekzekutivit, Kurti tha se “dokumenti është hartuar në konsultim edhe me partnerët e QUINT”-it. Në QUINT bëjnë pjesë: Shtetet e Bashkuara, Gjermania, Franca, Italia dhe Mbretëria e Bashkuar.
Strategjia paraqet objektivat e lidhura me interesat shtetërore siç janë: mbrojtja e sovranitetit dhe integritetit territorial, ruajta e rendit kushtetues dhe sigurisë publike, siguria njerëzore dhe zhvillimi shoqëror, si dhe integrimi në strukturat euroatlantike dhe mekanizmat e tjerë ndërkombëtarë.
Sipas Albin Kurtit, “parakusht për sigurinë dhe zhvillimin e Kosovës është anëtarësimi në organizatat euroatlantike”.
Synimi strategjik i Kosovës është anëtarësimi në NATO dhe BE, si parakushte për sigurinë dhe zhvillimin e qëndrueshëm të Kosovës, por edhe të rajonit. Në këtë drejtim, Kosova do të aplikojë në Programin për Partneritet për Paqe dhe anëtarësim në Kartën e Adriatikut, si dhe në mekanizma rajonalë të tjerë të sigurisë. Njëkohësisht Kosova do të aplikojë për statusin e vendit kandidat dhe do të zbatojë reformat e nevojshme për të plotësuar procesin e integrimit në Bashkimin Europian.
Kjo është strategjia e dytë e sigurisë që nga koha kur Kosova ka shpallur pavarësinë më 2008-ën. Pas miratimit në Qeveri, draft-strategjia do të dërgohet në Kuvend për t’u miratuar nga deputetët. Që prej nisjes së pushtimit rus të Ukrainës në shkurt të këtij viti, autoritetet në Kosovë kanë shtuar thirrjet për anëtarësimin e vendit në Programin për Partneritet të NATO-s.
Po ashtu, drejtuesit shtetërorë kanë paralajmëruar se Kosova gjatë këtij viti do të aplikojë për statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE. Por, anëtarësimi në këta dy mekanizma vështirësohet për faktin se në NATO janë katër shtete që ende nuk e njohin Kosovës, ndërsa në Bashkimin Europian janë pesë vende të tilla.