Aktualitet Health & Beauty Sociale

Kostot shëndetësore, shqiptarët më të shqetësuarit në rajon!

Shqiptarët janë më të shqetësuarit në rajon për kostot e larta të shërbimeve shëndetësore, siç del nga anketa e fundit e “Security Meter” që u zhvillua në 6 vende nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC). Rezultatet treguan se 24% e shqiptarëve ishin shumë të shqetësuar pasi nuk qenë në gjendje të përballonin kostot financiare për kujdesin mjekësor rutinë dhe mjekim. Ky shqetësim ishte i pranishëm në një përqindje më të ulët ndër qytetarët e Bosnjës 16%, Kosovës 9%, Maqedonia e Veriut 16%, Mali i Zi 20% dhe Serbia 20%.

Përgjithësisht, qytetarët në rajon kanë nivele të larta të pasigurisë financiare për shpenzimet shëndetësore, ku më shumë se gjysma e tyre, 53% janë të shqetësuar. Nivelet e larta të shqetësimit te qytetarët shqiptarë lidhen me të ardhurat e ulëta dhe nga ana tjetër, me nivelet e ulëta të shpenzimeve publike për rimbursimin e medikamenteve. Të sëmurët kronikë në vend e ata më sëmundje të rralla paguajnë nga xhepi terapitë pasi mungojnë në listat e rimbursimit.

Teksa nevojat për shërbime spitalore po rriten nga plakja e popullsisë dhe rritja e nivelit të sëmundjeve kronike në popullatë, buxheti i Shëndetësise në vend që të rritet, shkurtohet. Në ndryshimet e fundit që iu bënë Buxhetit të Shtetit në dhjetor 2024, fondi i Ministrisë së Shëndetësisë u shkurtua me 2.3 miliardë lekë ose me 3%.

Vitin e kaluar, shpenzimet për Shëndetësinë sipas ndryshimeve të fundit arritën në 75,9 miliardë lekë nga 77,9 në aktin e dytë normativ. Vit pas viti, buxheti për Shëndetësinë po rritet me ritme më të ulëta se shpenzimet e përgjithshme buxhetore, edhe pse vendi po përballet me nevoja më të mëdha për trajtime mjekësore.

Sipas të dhënave nga Ministria e Financave, shpenzimet buxhetore më 2025-ën arrijnë në 822 miliardë lekë, rreth 8,2 miliardë euro ndërsa për Ministrinë e Shëndetësisë, buxheti është projektuar 80,7 miliardë lekë apo sa 9.8% e shpenzimeve të përgjithshme.

Në vitin 2024, buxheti i Ministrisë së Shëndetësisë ishte sa 10.1% e shpenzimeve të përgjithshme buxhetore. Më 2021-shin, shpenzimet për Shëndetësinë zinin 10.7 % të shpenzimeve totale. Këtë vit, shpenzimet totale nga buxheti do të rriten me 6.7% dhe ato për shëndetësinë, me 3.6.

Në qendrat spitalore të vendit, më së shumti, po trajtohen simptomat e lehta të gripit dhe temperatura teksa qindra mijëra të tjerë që vuajnë nga sëmundje autoimune dhe neoplazmat orientohen të kurohen jashtë vendit. Çdo vit, miliona euro dalin jashtë vendit për trajtuar sëmundjet e rralla duke i kushtuar ekonomisë e mbi të gjitha, shëndetit të popullatës.

Prej 10 vitesh, fondet në Shëndetësi po orientohen shpesh në investime jo-eficiente, teksa rimbursimi i barnave mbetet në vendnumëro dhe investimet në pajisje, të pakta. Spitalet publike ende nuk kanë “Pet skaner” që indentifikon sëmundjet në faza fillestare. Në Kosovë, Qendra Universitare e Prishtinës e ka një tillë./Monitor