Sektori bankar ka rritur ndjeshëm kreditimin jashtë vendit në muajt e parë të vitit. Të dhënat nga Banka e Shqipërisë tregojnë se në fund të prillit, kredia e dhënë për huamarrës jorezidentë në Shqipëri arriti në 62.2 miliardë lekë. Që nga fillimi i vitit, ky portofol është rritur me 12 miliardë lekë ose rreth 23.7%. Rritja është edhe më e lartë me bazë vjetore, me pothuajse 40% më shumë.
Kredia për jorezidentët ka arritur nivelet më të larta në shtatë vitet e fundit. Mbështetur në statistikat e Bankës së Shqipërisë, në fund të muajit prill, huaja për jorezidentët përbën rreth 6.7% të portofolit të sektorit bankar, nga rreth 5.6% që zinte një vit më parë. Kredia e sektorit bankar për jorezidentët pati arritur arriti nivelet më të larta në mesin e vitit 2017.
Sipas Bankës së Shqipërisë, kredia për subjektet jorezidente në pjesën më të madhe jepet për bizneset, e dominuar kryesisht nga maturiteti afatgjatë. Banka të veçanta kanë eksploruar alternativa huadhënieje në vendet e rajonit, duke pasur parasysh edhe sasinë e madhe të fondeve në valutë të huaj.
Pjesa më e madhe e depozitave të publikut në sektorin bankar janë në Euro, por tregu i brendshëm nuk ofron alternativa të tjera të investimit të fondeve në valutë të huaj, përveç kredidhënies.
Në vitet e fundit, kreditimi po shfaqet gjithnjë e më i orientuar drejt Lekut, i nxitur edhe nga politikat e Bankës së Shqipërisë për uljen e përdorimit të Euros dhe për shmangien e rrezikut të kursit të këmbimit. Në këto kushte, disa prej bankave të sistemit kanë eksploruar edhe tregjet e huaja të huadhënies, me fokus kryesisht te klientët biznes./Monitor