Kreu i Gjykatës së Lartë, adresoi problematikat me të cilat përballen gjykatat në Ditën e Drejtësisë.
Ai theksoi se Gjykata e Lartë ka mungesa të burimeve njerëzore, materiale dhe financiare.
10 maji shënon një datë të rëndësishme për gjyqësorin shqiptar. E njohim si “Dita e Drejtësisë”, por në fakt është e lidhur ngushtësisht me krijimin për herë të parë të Gjykatës së Lartë. Kjo e bën edhe më të veçantë. Në 10 maj 1913 nuk u dha ndonjë vendim gjyqësor, por cilësimi si Dita e Drejtësisë synon të lartësojë dhe rrënjosë thellë nevojën dhe rëndësinë që ka gjyqësori në 111 vjet të ekzistencës së shtetit shqiptar.
Tashmë është bërë e zakontë, që nën aureolën që mban kjo ditë e shënuar, të organizohen takime ose veprimtari që lidhen me drejtësinë dhe posaçërisht me sistemin gjyqësor. Ato mund të jenë me natyrë ndërgjegjësuese, përkujtimore, festive, kritike, ose të gjitha bashkë. Secili prej nesh, natyrshëm, bën një bilanc të arritjeve, vështirësive, mos realizimeve, objektivave të vëna dhe atyre të munguara, vlerësimeve a pakënaqësive, të shprehura e të nënkuptuara, të cilat janë pjesë e pandarë e procesit të punës në sistem.
Sot, në këtë takim mes gjyqtarëve, fokusi do të jetë në dy çështje kryesore: marrëdhëniet mes gjykatave dhe organeve të qeverisjes së sistemit dhe kontrolli rishikues i vendimeve gjyqësore. Të dy çështjet janë lidhura ngushtë me mënyrën se si administrohet drejtësia. Në fjalën time do të përqendrohem kryesisht te e para.
Është fakt i pakundërshtueshëm që vështirësitë në administrimin e drejtësisë kanë qenë të konsiderueshme, ashtu siç vijojnë të jenë të pranishme. E kujtoj përherë rinisjen e punës së Gjykatës së Lartë në prill 2020, në kulmin e pandemisë së shkaktuar nga Covid-19, me vetëm 3 gjyqtarë, me gjysmën e administratës në dispozicion dhe me 36.000 çështje në pritje për t’u gjykuar! Megjithëse Gjykata e Lartë ka një përmirësim të ndjeshëm të situatës post-reformë, falë punës dhe angazhimit maksimal të gjyqtarëve dhe stafit administrativ, por edhe Këshillit të Lartë Gjyqësor që ka plotësuar numrin e gjyqtarëve, ajo vijon të ketë pamjaftueshmëri të burimeve njerëzore, materiale dhe financiare.
Në fakt, kjo është situata në të gjitha gjykatat e Republikës, që do ta konsideroja problematike, në mos edhe kritike, për shkak të nivelit të performancës së administrimit të drejtësisë, mangësive në kryerjen e analizës dhe diagnostikimit të problemeve, mungesës së vizionit në planifikimin strategjik për të kuptuar se çfarë duhet bërë, dhe në veçanti për të ndërgjegjësuar dy pushtetet e tjera se në çfarë gjendje ndodhemi dhe se ku duhet të shkojmë. Përgjegjësia rëndon mbi të gjithë Ne gjyqtarët e Republikës, ashtu, si edhe mbi Këshillin e Lartë Gjyqësor, që nëpërmjet reagimit institucional dhe legjitimitetit të vendimmarrjes duhet t´i dëshmojmë ekzekutivit dhe legjislativit se sistemi i drejtësisë nuk zgjat dorën për lëmoshë, por kërkon prej tyre përmbushjen e detyrimeve kushtetuese e ligjore, në funksion të parimeve dhe vlerave, mbi të cilat vepron një shtet i së drejtës.
Thelbi i administrimit të drejtësisë konsiston në premtimin për një drejtësi të barabartë para ligjit dhe respektimin e garancive kushtetuese që kërkon një proces i rregullt. Kjo e bën të domosdoshme nevojën e gjykatave për mirëmenaxhim, që nuk mund t’ia japin gjyqtarët e mbingarkuar me një vëllim çështjesh në rritje drastike. Ne kemi nevojë për një trupë administratorësh të aftë për të menaxhuar dhe drejtuar, në mënyrë që gjyqtarët të përqendrohen në detyrën parësore, të gjykuarit. Gjykatat nuk mund të kryejnë siç duhet misionin e tyre, nëse struktura, qeverisja, vizioni strategjik, programet dhe veprimet që ndërmerren, nuk krijojnë një perceptim të merituar në publik se gjyqësor është i përgjegjshëm.
Tri janë drejtimet kryesore, që evidentojnë mirë apo keq administrimin e drejtësisë.
Së pari: Ne të gjithë e dimë se gjykatat kanë mangësi të theksuara në infrastrukturë, që evidentohet me: godina të amortizuara dhe me kufizime të ndjeshme të hapësirës së duhur për punë. Zyra të pamjaftueshme dhe më e rënda, në disa gjykata, pa salla gjykimi, ku seancat gjyqësore zhvillohen në zyrat e gjyqtarëve dhe pa regjistrimin e procesit në audio, një sistem elektronik, pothuajse anakronik, që nuk siguron informacion menaxherial, por vetëm informacion të kufizuar statistikor mbi numrin e çështjeve të regjistruara e të përfunduara.
Problematika të ndjeshme në mënyrën e administrimit dhe të arkivimit të dosjeve, të çështjeve të sigurisë, apo të krijimit të hapësirave të përshtatshme për publikun etj.
Nuk arrihet të kuptohet se përse është në atë gjendje kritike Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë (dhoma Penale dhe Civile), që detyron zhvillimin e seancave gjyqësore në zyrë dhe gjyqtari nuk guxon të dalë prej saj, sepse në çdo moment do të ndeshet në korridoret e gjykatës me palët dhe me avokatët? Përse duhet të pranojmë Ne gjyqtarët të kemi drejtësi, që perfomon me dy standarde, ku në një gjykatë, qoftë edhe periferike, seancat gjyqësore zhvillohen në salla gjykimi, ndërsa në gjykatën e kryeqytetit seancat zhvillohen në zyrat e gjyqtarëve? Përse në Gjykatën e Posaçme kemi rregulla standarde për hyrjen e palëve në godinë dhe solemnitetin e zhvillimit të seancave gjyqësore, ndërsa në gjykatat e tjera palët përballen me një tjetër standard, që veçse e delegjitimon drejtësinë? Si është e mundur që është pranuar nga të gjithë Ne dhe, në veçanti nga KLGJ, që dy gjykatat e apelit të kryeqytetit të mos kenë mjaftueshëm zyra dhe salla gjykimi për gjyqtarët? A kemi ndonjë zgjidhje afatshkurtër apo afatgjatë për to?Së dyti: Gjykata kanë mungesa të ndjeshme në burime njerëzore, kryesisht në këshilltarë/ndihmës ligjorë, sekretarë gjyqësorë dhe stafin ndihmës administrativ. Menaxhimi i burimeve njerëzore nuk duhet parë si një rol administrativ, por si rol strategjik e thelbësor për suksesin e gjyqësorit. Mungon një strategji e qartë se si mund të realizohet përmbushja e këtij detyrimi nga KLGJ, kur pengesat për të shtuar numrin e ndihmësve ligjorë, sekretareve gjyqësore apo të stafit administrativ rezultojnë të jenë sa ligjore, aq edhe financiare e strukturore, sidomos kur planifikohet buxheti dhe nuk parashikohet dhe as insistohet te ekzekutivi dhe legjislativi për nevojën e rritjes së numrit të punonjësve në gjykata.
Së treti: Mbetet ende shqetësim trajtimi i buxhetit financiar që Kuvendi i akordon Gjykatës së Lartë dhe të gjithë gjykatave, nëpërmjet KLGJ, e cila nuk duket se e ka kuptuar drejt pavarësinë buxhetore të gjyqësorit. Në disa raste janë vënë re prirje për të konfonduar mbikëqyrjen administrative me mbikëqyrjen gjyqësore. KLGJ sipas kushtetutës është organ administrativ, ndërsa Gjykata e Lartë dhe të gjitha gjykatat janë organ gjyqësor. I pari është krijuar për të lehtësuar punën dhe mirëfunksionimin e të dytit, i cili duhet të fokusohet tek dhënia e drejtësisë. Një pjesë e madhe e kohës dhe energjisë së gjykatave shpenzohet me komunikime të përsëritura për çështje të buxhetit, gjë e cila jo vetëm është konsumim i kohës, por mbi të gjitha nuk pajtohet me kulturën institucionale në një shtet demokratik.