Aktualitet

Dosja “Martinaj”/ Gjykata e Lartë i heq GJKKO-së çështjen e armëve dhe uniformave të policisë!

Gjykata e Lartë ka zgjidhur përfundimisht përplasjen se cila gjykatë duhet të shqyrtojë dosjen penale ndaj Ervis Martinajt dhe tre personave të tjerë.

Përmes një vendimi të marrë më 10 mars 2026, Kolegji Penal ka përcaktuar se çështja do të gjykohet nga Gjykata e Tiranës dhe jo nga Gjykata e Posaçme (GJKKO).

Ky vendim sqaron vetëm kompetencën se ku do të zhvillohet gjyqi dhe nuk ka të bëjë me fajësinë ose pafajësinë e personave të akuzuar.

Sipas raportimit të gazetares së Top Channel, Anila Hoxha, ky procedim penal (dosja nr. 417 e vitit 2022) lidhet me një aksion policor të zhvilluar në maj të vitit 2022 në hotelin “Zeus Garden”, ku dyshohej se qëndronte Ervis Martinaj.

Gjatë kontrollit në hotel, policia sekuestroi një sasi të konsiderueshme sendesh të paligjshme; një pistoletë dhe municione luftonake; jelekë dhe portofolë me stemën e “Policisë” dhe maska, doreza antiplumb dhe pranga.

Një nga provat kryesore të prokurorisë është ekspertiza biologjike. ADN-ja e gjetur në disa nga sendet e sekuestruara ka rezultuar e përputhshme me atë të Ervis Martinajt, i cili rezulton i zhdukur pa gjurmë që prej gushtit të vitit 2022.

Dilema nëse dosja duhej të gjykohej nga Gjykata e Tiranës apo GJKKO erdhi për shkak të interpretimeve të ndryshme të ligjit.

Gjykata e Tiranës kishte vlerësuar se kjo dosje duhej të kalonte te GJKKO, me argumentin se lidhej me një hetim tjetër që SPAK-u po kryen ndaj Martinajt për grup të strukturuar kriminal.

Gjykata e Posaçme e refuzoi dosjen. Ajo argumentoi se në këtë procedim specifik nuk ka asnjë akuzë zyrtare për grup të strukturuar kriminal dhe se gjykata nuk mund të shpikë apo të shtojë akuza të reja që nuk i ka ngritur prokurori.

Gjykata e Lartë i dha të drejtë GJKKO-së. Në arsyetimin e saj, ajo theksoi se në këtë fazë të procesit, vetëm prokurori ka të drejtë të ndryshojë ose të shtojë akuzat.

Për sa kohë që prokuroria ka ngritur vetëm akuza për armëmbajtje dhe uniforma, dhe jo për grup kriminal, dosja duhet të shqyrtohet mbi bazën e këtyre akuzave ekzistuese. Për këtë arsye, procesi gjyqësor do të vijojë normalisht në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.