Një gol i Xhuliano Skukës në minutën e 90, ka shmangur humbjen e Partizanit përballë Egnatias kryesuese në kryeqytet, duke mbajtur gjallë shpresat e të kuqve se mund të rikuperojnë diferencën e thellë mes dy skuadrave në renditje. Ndeshja ka qenë shumë e ekuilibruar, me të dy skuadrat që kanë lejuar pak hapësira për të rrezikuar. U desh një gjuajtje e Spahiut nga distanca që t’u jepte avantazhin miqve, të cilët kërkuan me ngulm golin edhe në vijim, duke vënë disa herë në vështirësi Qirkon. Por në fund, devijimi para portës i Skukës solli barazimin 1-1, që lë në 10 pikë distancën mes vendit të parë dhe të dytë në renditjen e Superiores.
Sfida ishte mjaft e shpejtë sa i përket intensitetit, por rast për moviolë kishte vetëm një. Në minutën e 32-të Tedi Cara gjen avantazhin për “demat”. Asistenti Rejdi Avdo mban flamurin poshtë dhe më pas Cjapi nga VAR-i sinjalizon për kontroll të rastit. E në fakt merr vendimin e duhur, sepse pasi gjuan Cara, Mensah prek topin minimalisht para se të shkojë në rrjetë. Sulmuesi është më i avancuar se të gjithë, përveç Xhemajlit. Ky i fundit në këtë rast zëvendëson portierin Sherri. Që Mensah të ishte në pozicion të rregullt, duhej që të kishte të paktën dy lojtarë më të avancuar se ai. Xhaja e anulon dhe me ndihmën e Tartarajt dhe Cjapit në VAR, merr vendimin e duhur. Duhet thënë se në fushë prekja e Mensah ishte e vështirë të dallohej.