Sot kroatët zgjedhin presidentin e ri. Në sondazhe kryeson Zoran Milanoviç, kryetari aktual i shtetit. Dragan Primoraç është rivali i tij kryesor në garën me tetë emra për këtë post gjerësisht ceremonial. Primoraç mbështetet nga partia konservatore në pushtet, HDZ. Presidencialet po mbahen teksa shteti anëtar i Bashkimit Europian dhe NATO-s, përballet me inflacion të lartë, korrupsion e mungesë të fuqisë punëtore.
Sipas një sondazhi të publikuar, Milanoviç ka mbështetjen e 37% të elektoratit, ndërsa Primoraç, të 20% të votuesve. Asnjë nga kandidatët nuk pritet të fitojë më shumë se 50% të votave dhe presidenti i ri pritet të zgjidhet në raundin e balotazhit, që pritet të mbahet pas dy javësh.
Gjatë fushatës, dy rivalët kryesorë kanë këmbyer akuza. Milanoviç thumboi Primoraç-in, duke e quajtur “të mërzitshëm”. Në Kroaci, presidenti është komandant i forcave të armatosura dhe ka peshë sa iu përket vendimeve për politikën e jashtme.
Por, pavarësisht kompetencave të kufizuara, shumë besojnë se ky post është kyç për balancën e pushtetit politik në shtetin që më së shumti drejtohet nga HDZ-ja, prej pavarësisë në vitin 1991.
Milanoviç, 58 vjeç, politikan i krahut të majtë, në të kaluarën ka qenë edhe kryeministër e është një nga figurat kryesore politike të shtetit për pothuajse dy dekada. Gjatë mandatit si president e ka shfrytëzuar këtë post për të sulmuar kundërshtarët politikë dhe zyrtarët e BE-së, shpesh duke përdorur retorikë fyese e populiste.
Milanoviç dënoi pushtimin rus të Ukrainës, por ka kritikuar ndihmën perëndimore ushtarake për Kievin ndaj dhe kryeministri Andrej Plenkoviç e quan “prorus, i cili po shkatërron besueshmërinë e Kroacisë në NATO dhe BE”.
Milanoviç ka argumentuar qëndrimet e tij, duke thënë se dëshiron ta mbrojë Kroacinë nga “futja në luftë”. Ndërkaq, rivali i tij politik, Primoraç, 59 vjeç, bëri fushatë duke u prezantuar si “unifikues” dhe person që promovon vlerat e familjes e të patriotizmit.
Zgjedhjet do të tregojnë nëse Kroacia po kthehet nga Lindja apo Perëndimi…. nga përçarjet apo nga uniteti.
Qendrat e votimit e hapura në orën 07:00, mbyllen më 19:00, kur pritet të publikohen edhe sondazhet. Ndërkaq, rezultatet zyrtare do të bëhen publike në orët e vona të ditës.