Aktualitet Rajoni

Kryeministri grek Mitsotakis për zgjerimin e BE-së: T’i zhbllokohet rruga Shqipërisë e Maqedonisë së Veriut!

Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis deklaroi sot se “Bashkimi Europian duhet të sigurojë brenda vitit 2033, integrimin e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor”, në atë që e quajti “një hap ambicioz, por të nevojshëm”. Pushtimi i Ukrainës nga ana e Rusisë i ka dhënë një ndjenjë të re urgjence nevojës për të lidhur Malin e Zi, Serbinë, Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Bosnjën dhe Kosovën më afër me 27 vendet anëtare të BE-së, pjesërisht për t’iu përgjigjur rritjes së ndikimit rus dhe kinez në rajon. Kjo qasje mund të përfshijë anëtarësim të plotë ose një komunitet alternativ.

Në një artikull të botuar në “Politico” përpara samitit në Greqi mbi Procesin e Bashkëpunimit të Europës Juglindore (SEECP), Mitsotakis thekson se “BE-ja duhet të tregojë se kur parashtron një vizion, ka edhe synimin e kapacitetin për ta ndjekur”.

Në Bashkimin Europian, vizioni i pranimit për rajonin është bërë i paqartë, duke u zbehur në sytë e qytetarëve të frustruar e të zhgënjyer, ndërsa zgjerimi i BE-së ka ngecur vitet e fundit, për shkak të shqetësimeve të sigurisë, qeverisjes dhe migrimit.

Më 23 qershor do të mbahet një samit mes Bashkimit Europian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Mesazhi im sot është i qartë: në përputhje me kriteret e përcaktuara, le të ofrojmë integrimin e të gjithë Ballkanit Perëndimor në BE deri në vitin 2033, një afat kohor ambicioz, por të arritshëm. Kjo është shumë e vonuar!

Hapi i parë duhet të jetë marrja e një vendimi brenda dy javësh në Bruksel, për të zhbllokuar rrugën e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.

Nisma e Mitsotakis-it tregon mënyrën si Greqia është përpjekur të rrisë rolin e saj në Ballkan, pas daljes nga një krizë financiare që i njollosi imazhin. Kancelari gjerman Olaf Scholz, i cili sot filloi një turne dy-ditor në Ballkanin Perëndimor, pritet që gjithashtu të udhëtojë në qytetin grek të Selanikut për të marrë pjesë në një darkë me 13 pjesëmarrësit e SEECP-së.