Kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviç, njoftoi sot dorëheqjen nga posti, pas valës së protestave që kanë përfshirë vendin prej më shumë se dy muajsh. Mijëra studentë dhe qytetarë të tjerë kërkojnë përgjegjësi penale dhe politike për tragjedinë në qytetin e Novi Sadit, ku më 1 nëntor të vitit të kaluar, 15 persona humbën jetën nga shembja e një strehe në stacionin hekurudhor.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha më herët se të gjitha kërkesat e tyre janë plotësuar. Po ashtu, gjatë atij fjalimi, kërkoi edhe ristrukturimin e qeverisë, në krye të së cilës, Vuçeviç ishte nga maji i vitit 2024.
Neni 132 i Kushtetutës së Serbisë thotë se kryeministri e paraqet dorëheqjen te kryetari i Kuvendit dhe njofton njëkohësisht presidentin e Republikës e qytetarër në lidhje me vendimin e tij.
Në seancën e parë të radhës, parlamenti konstaton dorëheqjen e shefit të ekzekutivit. Mandati i qeverisë përfundon në ditën e konfirmimit të dorëheqjes së kryeministrit. Pasi parlamenti ta konfirmojë dorëheqjen e kryeministrit, presidenti i Republikës është i detyruar të fillojë procedurën për zgjedhjen e qeverisë së re.
Nëse parlamenti nuk arrin të zgjedhë qeverinë e re brenda 30 ditëve nga data e dorëheqjes së kryeministrit, presidenti i Republikës është i detyruar të shpërndajë Kuvendin, si dhe të shpallë zgjedhje të reja.