Zyra e kryeministrit izraelit njoftoi se dje, ai iu nënshtrua një operacioni për heqjen e prostatës, një zhvillim që vjen ndërsa Benjamin Netanyahu po menaxhon kriza të shumta, përfshirë luftën në Gaza, si dhe një proces gjyqësor në ngarkim të tij, nën dyshimet për korrupsion.
Netanyahu, i cili është përballur me një sërë problemesh shëndetësore vitet e fundit ka bërë përpjekje të mëdha për të forcuar një imazh publik si një udhëheqës i shëndetshëm dhe energjik. Gjatë procesit gjyqësor këtë muaj, u mburr se po punonte 18 orë në ditë.
75 vjeçari është në mesin e udhëheqësve me moshën më të madhe në botë, mes tyre presidenti amerikan, Joe Biden, 82 vjeç, presidenti i zgjedhur, Donald Trump, 78, ai i Brazilit, Luiz Inácio Lula da Silva, 79 vjeç, si dhe Papa Françesku, 88.
Problemet me prostatën janë të zakonshme te meshkujt në moshë të madhe, por operacioni mund të ketë pasoja. Gjyqtarët që po mbikëqyrin procesin gjyqësor në ngarkim të Netanyahu-t e pranuan kërkesën e avokatit të tij, për të anuluar tri ditë dëshmish të planifikuara, për shkak të shtrimit në spital për “disa ditë”.
Zyra e Netanyah-ut tha se ministri i Drejtësisë, Yariv Levin, një aleat i ngushtë i tij, po shërben si kryeministër në detyrë gjatë operacionit. Problemet me prostatën janë të zakonshme dhe në shumë raste, lehtësisht të trajtueshme. Megjithatë, operacioni duket se zbeh disi imazhin e Netanyah-ut në kohën kur më shumë se kurrë, ai do të dëshironte të shfaqej i fortë, ndërsa vendi përballet me kërcënime të vazhdueshme.