Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se ka propozuar presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, për Çmimin Nobel për Paqe. Një ditë më parë, Netanyahu takoi Trump-in në Shtëpinë e Bardhë, ku edhe deklaroi se i ka treguar letrën dërguar komitetit që ndan çmimin prestigjioz.
Ai po ndërton paqe ndërkohë që ne flasim, në një vend… në një rajon pas tjetrit, u shpreh Netanyahu gjatë një darke me Trumpin në Shtëpinë e Bardhë.
Gjatë viteve, manjati amerikan është nominuar disa herë për Çmimin Nobel për Paqe nga mbështetës dhe ligjvënës të ndryshëm e nuk e ka fshehur zhgënjimin që nuk ka fituar. Madje është ankuar haptazi se u anashkalua nga Komiteti Norvegjez i Çmimit Nobel për rolin e tij ndërmjetësues në konfliktet mes Indisë e Pakistanit, si dhe Kosovës e Serbisë.
Në vitin 2020, në kohën kur Donald Trump shërbeu në mandatin e parë presidencial, dëshmoi nënshkrimin e një marrëveshjeje mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike. Siç dihet, muajin e kaluar, Trump iu bashkua luftës së Izraelit në Iran, duke sulmuar objektet bërthamore iraniane. Më pas, ndërmjetësoi një akord armëpushimi mes dy vendeve duke i dhënë fund asaj që e përkufizoi si luftë 12 ditore.
Paraardhësi demokrat i Trump-it gjatë mandatit të parë, Barack Obama, ka fituar Çmimin Nobel për Paqe në vitin 2009. Si arsye për këtë vlerësim të rëndësishëm, Komiteti Norvegjez i Nobelit përmendi “përpjekjet e tij të jashtëzakonshme për të forcuar diplomacinë ndërkombëtare, si dhe bashkëpunimin midis popujve”.