Aktualitet Rajoni

Kryeministri Kurti: Propozimi europian nuk është produkt i negocimit!

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, thotë se propozimi europian nuk është produkt i negocimit, meqë sipas tij më 18 gusht të vitit të kaluar u hap tema për kornizën e përgjithshme të marrëveshjes, por pa pasur takime për atë temë.

Pala tjetër nuk ka qenë e interesuar e as e gatshme për këtë. Tre javë pas atij takimi vjen propozimi.

Kurti i bëri këto deklarata sot në Kuvendin e Kosovës, kur u pyet për temat që pritet të diskutohen në takimin e së hënës me presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiç.

Pra, nuk është se ne kemi negociuar dhe është sjellë propozimi. Propozimi shumë më shumë ka të bëjë me historinë prej më shumë se një dekade të dialogut të Brukselit. Pra, propozimi nuk është as produkt i përfshirjes së kërkesave negociuese të palëve.

Aleatët e Kosovës e kanë dizajnuar propozimin europian si një pako që do të avancojë anëtarësimin e Kosovës në sistemin ndërkombëtar dhe i cili përmban njohjen de-facto. E gjithë kjo bazuar në Kartën e Kombeve të Bashkuara, e cila përbën një kushtetutë të sistemit ndërkombëtar pas Luftës së Dytë Botërore për marrëdhëniet mes shteteve të pavarura.

Bashkimi Europian ka thënë se temë e diskutimit në takimin e nivelit të lartë Kurti-Vuçiç do të jetë propozimi europian për normalizimin e plotë të raporteve mes Kosovës e Serbisë.

Propozimi europian u është dorëzuar palëve në shtator të vitit të kaluar. Ato e kanë konfirmuar se e pranojnë këtë dokument, por ai nuk është bërë publik.

Megjithatë, në një draft që e ka parë Radio Evropa e Lirë, nuk përmendet në mënyrë specifike njohja, por ka të drejta të barabarta për Kosovën dhe Serbinë, respektim i integritetit territorial, paprekshmëria e kufijve, njohja e simboleve shtetërore dhe një rregullim i veçantë për komunitetin serb në Kosovë. Kurti dhe Vuçiç do të takohen më 27 shkurt e nuk kanë zhvilluar takim në kuadër të dialogut të Brukselit që nga nëntori 2022.