Presidenti i Serbisë Aleksandar Vučić ka vijuar me akuza dhe deklarata të forta ndaj kryeministrit në detyrë të Kosovës Albin Kurti, duke pretenduar se autoritetet në Prishtinë po synojnë serbët e Kosovës dhe po ndërhyjnë në proceset politike para zgjedhjeve të 7 qershorit.
Në një intervistë për televizionin publik serb, Vuçiç pretendoi se Kurti ka urdhëruar arrestime ndaj figurave të ndryshme serbe, përfshirë drejtues të institucioneve lokale, duke i quajtur këto veprime si “gjueti ndaj serbëve”. Ai gjithashtu deklaroi se Prishtina po mbështet figura politike brenda komunitetit serb që, sipas tij, veprojnë kundër interesave të serbëve në Kosovë.
Vuçiç paralajmëroi se shteti serb do të angazhojë të gjithë aparatin e tij institucional për të mbështetur Lista Serbe në procesin zgjedhor, duke e konsideruar atë si përfaqësuesin kryesor politik të serbëve në Kosovë.
Në të njëjtën intervistë, presidenti serb u pyet edhe për raportet ndërkombëtare dhe mundësinë e njohjes së Kosovës në kontekstin e modelit të Ukrainës. Ai deklaroi se Ukraina nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe shtoi se kjo, sipas tij, “nuk ka sjellë dëme” për Serbinë.
Deklaratat e Vuçiçit vijnë në një periudhë tensionesh të shtuara politike mes Beogradit dhe Prishtinës, me akuza të ndërsjella për ndërhyrje dhe ndikim në proceset e brendshme politike.