Lëvizja Vetëvendosje ka prezantuar kandidatët për deputetë për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit. Gjatë një tubimi në Gjakovë, kryetari i partisë dhe kryeministri në detyrë Albin Kurti tha se këto zgjedhje përfaqësojnë një përballje mes dy vizioneve të ndryshme për Kosovën.
Sipas Kurtit, njëra qasje e sheh shtetin si të përbashkët dhe mjet për drejtësi e zhvillim, ndërsa tjetra si pronë të një pakice dhe mjet për përfitime politike.
Ai u shpreh se lista e Vetëvendosjes përfaqëson qytetarë që e shohin shtetin si përgjegjësi dhe jo si përfitim.
Listës i prin Albin Kurti si kandidat për kryeministër, i ndjekur nga Glauk Konjufca. Në dhjetëshen e parë renditen edhe Donika Gërvalla, Avni Dehari, Albulena Haxhiu, Hekuran Murati, Xhelal Sveçla, Mimoza Kusari-Lila, Hajrulla Çeku dhe Shqipe Mehmeti-Selimi.
Në listë janë përfshirë edhe figura të reja, ndërsa kandidati i fundit është Salih Zyba me numrin 110. Vetëvendosje kishte marrë 51.1% të votave në zgjedhjet e mëparshme.
Kosova po shkon në zgjedhje të parakohshme pasi Kuvendi nuk arriti të zgjedhë presidentin brenda afatit kushtetues. Sipas listës preliminare, pritet të votojnë mbi 2 milionë qytetarë, ndërsa mbi 22 mijë për herë të parë.