Aktualitet

Kryeministri Rama, mes 23 liderëve botërore që firmosin Traktatin Postpandemi!

Kryeministri Rama është mes 23 liderëve botërore që firmosën një Traktat Postpandemi ku theksohet se “askush nuk e fiton dot i vetëm luftën kundër koronavirusit nëse nuk luftojnë të bashkuar”. Në një letër thuhet se “Pandemi të reja pritet të vijnë e të tjera urgjenca të mëdha shëndetësore do të shfaqen, por asnjë qeveri apo agjenci shumëpalëshe nuk mund t’i përballojë e vetme kërcënimet.

Çështja nuk është a do të ndodhë, por kur?”. Në nivel global synohen të nxiten përpjekje për të qenë të bashkuar, si dhe më të përgatitur për të parashikuar, parandaluar, zbuluar, vlerësuar e reaguar efektivisht ndaj pandemive në mënyrë tejet të ko’ordinuar. Në Traktatin Postpandemi, 23 liderët botërorë i referohen pandemisë COVID-19 si kujtesë tronditëse dhe e dhimbshme se asnjë nuk është i sigurt, nëse nuk janë të gjithë.

Udhëheqësit angazhohen të sigurojnë qasje universale e të barabartë ndaj vaksinave, ilaçeve e mjeteve diagnostikuese të sigurta, efikase e me kosto të përballueshme për këtë pandemi e të tjerat në të ardhmen. Sipas tyre, imunizimi është një e mirë publike globale dhe duhet të jenë të aftë ta zhvillojnë e po ashtu të prodhojnë e shpërndajnë vaksina sa më shpejt të jetë e mundur.

Krahas Shqipërisë, shtetet e tjera firmëtare të Traktatit janë Kili, Kosta Rika, Trinidad Tobago, Kenia, Ruanda, Senegali, Afrika e Jugut, Franca, Gjermania, Greqia, Holanda, Norvegjia, Portugalia, Rumania, Serbia, Spanja, Ukraina, Mbretëria e Bashkuar, Tunizia, Indonezia, Fixhi e Koreja e Jugut.