Një aksident ka ndodhur ditën e sotme në aksin rrugor nacional Pushimi i Shoferit-Fier Shegan.
Siç raporton korrespondenti i Top Channel Bledar Korreshi, dy mjete janë përplasur në dalje të fshatit Rrupaj.
Mjeti me targa greke tentoi të parakalonte mjetin me targa italiane. Manovra e gabuar e parakalimit bëri që mjeti me targa italiane të përfundojë në kanal.
Tre personat që udhëtonin në të, dy bashkëshortët dhe djali i tyre i rritur u transportuan me urgjencë në spitalin e Lushnjes nga dy ambulanca.
Policia ka shkuar në vendngjarje po dokumenton rastin dhe po disiplinon trafikun. Ky aks rrugor nacional është tepër i ngushtë për volumin e trafikut që përballon dhe shpeshherë ka aksidente të tilla.