Në vijim të komunikimit me ndjekësit në rubrikën “Sy m’Sy”, kryeministri Edi Rama njoftoi se nesër që është dhe Dita e Verës, hapet Tuneli i Murrizit.
Nesër Tuneli i Murrizit do të hapet, përkon me Ditën e Verës. Nga Elbasani në Dibër dhe në të gjithë Shqipërinë. Ky tunel është i ndërtuar me PPP, e gjithë Rruga e Arbrit. I ka dalë shtetit dhe taksapaguesve shumë më lirë se rrugët që bëheshin, sidomos dikur me tendera që ktheheshin në histori abuzimi duke shtuar e shtuar fonde për punime të paparashikuara.
Kontrata u bë që për çdo gjë të paparashikuar, e mbulon sipërmarrësi privat. Kostot shtesë në bazë të kontratës i mori sipërmarrësi. Rruga e Arbrit dhe Tuneli sa të jem unë këtu, s’do kenë tarifë. Më mbrapa, shihni e bëni.
Syri i keq, më në fund plasi, se te ai tunel na u mblodh e gjithë energjia negative. Kështu që nesër, tuneli i Murrizit hapet. Hapet më 14 Mars dhe përkon me Ditën e Verës. Nesër nga Elbasani, në Dibër.
Po ashtu, kryeministri Rama ironizoi listat e kandidatëve për deputetë të Partisë Demokratike:
Jam i mërzitur. Kishin lënë një gjel deti Peqini jashtë dhe Kujtim Gjuzin në det të hapur. Por, për këtë do të flas më vonë. Për Kujtimin u mërzita shumë sepse është i vetmi përfaqësues dinjitoz i “Shqipërisë Madhështore”.