Aktualitet Rajoni

Kryeministri Rama për veriun e Kosovës: Kriminelët para drejtësisë/Thirrje ndërkombëtarëve të ulin palët në dialog!

Në një reagim për zhvillimet e fundit në veri të Kosovës, me një polic të vrarë dhe një tjetër të plagosur, kryeministri Edi Rama thotë se “tragjedia e humbjes së jetës së efektivit të Policisë së Kosovës është kambana më e madhe e alarmit deri më sot për rrezikun e vazhdueshëm të eskalimit të krizës së zgjatur në një konflikt të armatosur”.

Sipas shefit të qeverisë, komuniteti ndërkombëtar “duhet të mbledhë të gjithë forcën e tij imponuese dhe të ulë pa kthim, Kosovën dhe Serbinë në tryezën e Dialogut të Normalizimit”. Kryeministri Rama kërkon që “kriminelët që i morën jetën një njeriu të pafajshëm, i cili shërbente nën uniformën shtetërore të forcave të rendit të Republikës së Kosovës, duhet të dalin përpara drejtësisë”.

Komuniteti euroatlantik duhet të mbledhë të gjithë forcën e tij imponuese dhe të ulë pa kthim, Kosovën dhe Serbinë në tryezën e Dialogut të Normalizimit. Thirrja e një konference të jashtëzakonshme paqeje, nën mbikqyrjen e garancinë e Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara, e njëkohësisht marrja e të gjitha masave të jashtëzakonshme me KFOR-in, për moslejimin e eskalimit të mëtejshëm të situatës, janë një domosdoshmëri strategjike jo vetëm për rendin e sigurinë në Kosovë sot, po edhe për paqen e të ardhmen e rajonit nesër, përpara sesa kriza e zgjatur në Veriun e Kosovës të dalë jashtë kontrollit e të kthehet në një zjarr destabilizues për krejt rajonin.

Më herët, reaguan dhe presidenti Bajram Begaj e kryediplomati Igli Hasani.  Për kryetarin e shtetit, “ky akt i organizuar kriminal është cënim i rëndë i rendit dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”. Begaj i bën thirrje komunitetit ndërkombëtar “të reagojë me vendosmëri ndaj urdhëruesve dhe zbatuesve të këtij akti”, që e cilëson “tejet të rëndë për stabilitetin e Kosovës dhe paqen në Ballkanin Perëndimor”.

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani dënoi me ashpërsi sulmin me armë ndaj Policisë dhe shtetit të Kosovës, ndërsa shkroi se “akti i sotëm kriminal është kërcënim për sigurinë e stabilitetin e rajonit tonë dhe autorët duhet të përballen sa më parë me drejtësinë”. Hasani thekson se Shqipëria është në krah të Kosovës në këto momente të vështira që kërkojnë gjakftohtësi, në bashkëpunim të ngushtë me aleatët e partnerët.

Për vrasjen e policit në Kosovë, kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla thekson se urdhëruesit e këtij krimi, duhet të mbajnë përgjegjësi:

Dënoj me forcë sulmin e sotëm në afërsi të Banjskës në Veriun e Kosovës, si pasojë e të cilit një oficer i Policisë së Kosovës u vra dhe një tjetër u plagos. Urdhëruesit e këtij krimi duhet të mbajnë përgjegjësi dhe kriminelët duhet të dërgohen para drejtësisë. I shpreh ngushëllimet dhe ndaj dhimbjen me familjen e oficerit të vrarë në krye të detyrës.

Ky akt brutal kriminal ndaj efektivëve të Policisë së Kosovës dhe pasojat e tij tragjike janë shenja se zhvillimet mund të përkeqësohen nëse nuk ndërhyhet nga komuniteti evroatlantik dhe KFOR për ndalimin e përshkallëzimit të situatës.

Dialogu midis Kosovës dhe Serbisë, sipas rekomandimeve të ShBA dhe BE, mbetet rruga e vetme për normalizimin e marrëdhënieve dypalëshe. Nga ana tjetër, normalizimi i marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë është kusht i domosdoshëm për sigurinë dhe paqen në rajon.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dënoi sulmin ndaj forcave të policisë në Kosovë.

Sulmi i organizuar kriminal ndaj forcave te policisë së Kosovës është një barbari e pashoqe për Europën e 2023! Unioni i Bashkive dënon me force këto akte terrori si dhe i shpreh ngushëllimet më të ndjera familjes së heroit Afrim Bunjaku dhe shërim të shpejtë dy kolegëve të tij.