Sot në një konferencë për media, kryeministri Edi Rama bëri të ditur se presidentit të Francës, Emmanuel Macron dhe kancelarit gjerman, Olaf Scholz, dje iu dorëzoi një draft për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Jam këtu për t’ju bërë të ditur një fakt të panjohur më parë. Dje u kam përcjellë Scholzit dhe Macronit një draft të Asosacionit, për të cilin kam vënë në dijeni edhe Charles Michel-in e palën amerikane.
Rama tha se dokumenti është konfidencial, por foli për “dokument të nivelit më të lartë ndërkombëtar, që merr në konsideratë të gjitha arsyet për krijimin e Asociacionit dhe që Asociacioni është pjesë e organizimit të jetës për Kosovën”.
Marrëveshjen për këtë asociacion, Kosova dhe Serbia e kanë arritur që në vitin 2013, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, të ndërmjetësuar nga BE-ja.
Por, pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme të komunitetit ndërkombëtar për ta zbatuar, Kosova refuzon, me pretendimin se kompetencat e gjera të Asociacionit do të kërcënonin funksionalitetin e brendshëm të shtetit.
Rama tha se për këtë draft, nuk është konsultuar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Kryeministri shtoi se drafti është hartuar nga ekspertë të pavarur, ndërsa vuri në dukje se edhe ai vetë dha kontribut.
Albin Kurtin po e fajëson bota e tërë demokratike dhe kjo më shkakton vetëm keqardhje. Unë nuk jam as për të gjykuar, as për të sulmuar Albin Kurtin. Po përpiqem të kontribuoj, pasi njëri çon policinë në godina bosh, tjetri çon ushtrinë në kufi.
Rama deklaroi se Kurtin e ka mbështetur në procesin e dialogut me Serbinë të ndërmjetësuar nga BE-ja dhe do të vazhdojë ta mbështesë në “rrugën e njohjes reciproke”.
Ndërkombëtarët janë të zotët e shtëpisë në Kosovë, nëse ata i kthejnë shpinën, mos ndodhtë kurrë, por ajo shtëpi, hyn në ditët e saj më të errëta.
Rama bëri thirrje që Policia e Kosovës të tërhiqet. Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje drejt normalizimit të raporteve më 27 shkurt në Bruksel, si dhe ranë dakord për aneksin e zbatimit të saj në Ohër, më 18 mars të këtij viti.
Po ashtu, Rama vuri në dukje se është shumë i shqetësuar për situatën ku ndodhet Kosova dhe se nuk dëshiron të përkeqësohet gjendja apo të vendosen sanksione ndaj vendit.
Për mua është i pakuptimtë pozicioni i Kosovës, se Serbia bën atë që ka bërë herë tjera. Palët nuk po merren vesh kush duhet ta shkruajë këtë tekst e jo më si duhet hartuar.
Në veri të Kosovës, protestat vazhdojnë prej 26 majit, ditë kur policia ndihmoi kryetarët shqiptarë të komunave Zveçan, Zubin Potok e Leposaviç të hynin në objektet komunale, pavarësisht rezistencës së banorëve serbë.
Për shpërfilljen e këshillave amerikane lidhur me hapat e nevojshëm në veri, Kosova është përjashtuar nga një stërvitje e madhe ushtarake, e udhëhequr nga SHBA-të në Europë. Albin Kurti nuk po tërheq policinë dhe as kryetarët shqiptarë nga veriu me shumicë serbe.