Kupa e Shqipërisë do të rikthehet javën e ardhshme me ndeshjet e kthimit të çerekfinaleve, që do të luhen të martën dhe të mërkurën, më 25 e 26 shkurt. Këto sfida pritet që të përcaktojnë katër skuadrat që do të kalojnë në gjysmëfinale. Të martën zhvillohen dy takimet e para: Partizani-Laçi dhe Vllaznia-AF Elbasani.
Në përballjet e para, të dyja çiftet u ndanë në barazim 0-0, duke e lënë gjithçka të hapur për kualifikim. Partizani pret Laçin në “Arenën e Demave”, ndërsa Vllaznia përballet me AF Elbasanin në “Loro Boriçi”, me të dyja sfidat që do të luhen në orën 17:00.
Të mërkurën e 26 shkurtit janë programuar dy përballjet e tjera. Egnatia-Bylis do të zhvillohet në “Arena Egnatia” në orën 13:30, me rrogozhinasit që janë më pranë kualifikimit në gjysmëfinale, falë fitores 1-3 në takimin e parë. Ndërkohë, Skënderbeu-Dinamo City do të luhet në Korçë në orën 16:30, me ekipin korçar që ka avantazhin e fitores 2-0 nga sfida e parë.
Ndeshjet e raundit të dytë të fazës çerekfinale të Kupës së Shqipërisë:
Partizani – Laçi, 25 shkurt, ora 17:00
Vllaznia – AF Elbasani, 25 shkurt, ora 17:00
Egnatia – Bylis, 26 shkurt, ora 13:30
Skënderbeu – Dinamo City, 26 shkurt, ora 16:30