Vllaznia dhe Dinamo sot përballen në Shkodër, në një sfidë që vlen finalen e Kupës së Shqipërisë. Është “beteja” e radhës në “luftën” e gjatë mes këtyre dy skuadrave, që luajnë ndeshjen e 6-të mes tyre për këtë sezon, ndërsa sezonin e kaluar u përballën plot 7 herë mes kampionatit, Kupës dhe “Final 4”.
Akti i parë i luajtur në “Air Albania” përfundoi në barazim 1-1 dhe gjithçka sa i takon kualifikimit për në finale është e hapur. Vllaznia ka avantazhin e fushës dhe mbështetjen e tifozëve këtë herë, por Dinamo me siguri do të luajë të gjitha “kartat” për të mbrojtur trofeun e fituar sezonin e kaluar, aq më tepër që në kampionat e sheh të rrezikuar pjesëmarrjen në “Final 4”.
Shkodranët sot do të jenë pa sulmuesin Bismark, autor i golit në ndeshjen e parë, si dhe pa Gurishtën të ndëshkuar me karton të kuq, po në atë përballje. Mungon gjithashtu edhe Kastrati për shkak dëmtimi.
Vllaznia ka si objektiv kryesor titullin kampion. Mban vendin e parë dhe ndeshjen e radhës në kampionat e ka me Elbasanin, rivalin direkt, por kjo nuk do të thotë se do të tolerojë sot në “Loro Boriçi”.
Edhe Dinamo në anën tjetër vjen me disa mungesa. Lorran dhe Guindo janë të padisponueshëm për shkak dëmtimi, përveç Maliqit e Salit, të cilët janë jashtë prej kohësh, për të njëjtën arsye. Bernard Berisha duket se edhe sot do të mungojë, pasi nuk është rikuperuar 100%, ndërsa në dyshim vihet Neziri. Gudiabi vazhdon të stërvitet me skuadrën B. Trajneri Daja do të ketë të gatshëm këtë herë Naser Alijin.
Kryeqytetasit pritet që sot të shkarkojnë të gjitha “bateritë”, pasi Kupa e Shqipërisë do të ishte shpëtim i një sezoni me shumë ulje-ngritje për ta. Në Shkodër do të jetë një sfidë emocionuese, me të dyja skuadra në përpjekje për të marrë biletën e dytë të finales, ku tashmë pret Egnatia.