Rajoni

Kurti dhe Vuçiç sot në Bruksel, takime të veçanta me Scholz, Macron dhe Melonin! BE gati planin modern për asociacionin!

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç do të jenë ditën e sotme në Bruksel, ku pritet që të zhvillojnë takime të ndara me udhëheqës të Bashkimit Europian. Kjo është hera e parë që Kurti dhe Vuçiç do përballen që pas sulmit në veri të Kosovës nga bandat serbe, ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku.

Zëdhënësi i BE, Peter Stano ka thënë se këto takimi do të vijnë në vazhdën e atyre të pesë diplomatëve perëndimorë që u ndalën në Prishtinë dhe Beograd. Sipas Stanos temë kryesore do të jetë kthimi i palëve në dialog.

“Ideja është që këto takime të zhvillohen në margjinat e samitit të BE-së, në mbështetje të kthimit në dialog. Mesazhi i BE-së është se presim që të dyja palët, Serbia dhe Kosova, t’iu kthehen menjëherë dhe pa pengesa detyrimeve që dalin nga dialogu, të punohet menjëherë për uljen e tensioneve dhe rifillimin e dialogut”, tha Stano.

Kurti dhe Vuçiç do të priten veç e veç nga kancelari gjerman, Olaf Scholz, presidenti francez, Emmanuel Macron, dhe kryeministrja italiane, Giorgia Meloni.

Në takime do të jetë i pranishëm edhe shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, i cili, po ashtu, do t’i informojë krerët e shteteve dhe qeverive të BE-së për gjendjen në procesin e normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Stano tha se nuk është planifikuar ndonjë takim Kurti-Vuçiç me ndërmjetësuesit e BE-së, por një takim i tyre i përbashkët do të varet nga takimi me udhëheqësit evropianë.

Mediat kanë bërë me dije se Bashkimi Evropian ka bërë gati një propozim modern për Asocacionin, i cili do t’u prezantohet palëve. Qeveria e Kosovës tha se Kurti është pajtuar që ky plan të jetë “korniza e vazhdimit të diskutimeve të mëtejshme me shtetet aleate”. Vuçiç, në anën tjetër, tha se Serbia është e gatshme të bisedojë për planin, por pranoi se “takimet e planifikuara nuk do të jenë të lehta”.

Ku qëndron dialogu?

Kurti dhe Vuçiç u takuan për herë të fundit më 14 shtator, por pa ndonjë përparim. Dhjetë ditë më vonë ndodhi sulmi në Banjskë, ku grupe të armatosura serbësh sulmuan policinë e Kosovës, duke vrarë një zyrtar policor. Gjatë përleshjeve, që nxitën shqetësime për qëndrueshmërinë në rajon, u vranë edhe tre sulmues serbë.

Duke folur për gazetën britanike, Financial Times, më 25 tetor, Kurti tha se “nëse nuk do të ketë dënime dhe sanksione ndaj Serbisë pas asaj që ka bërë, definitivisht nuk do të ketë dialog”. Ky proces që synon normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë nisi në vitin 2011 me ndërmjetësimin e BE-së dhe mbështetjen e SHBA-së.