Një dentiste 37-vjeçare me origjinë nga Bjellorusia është përmendur në dokumentet hetimore të publikuara nga Departamenti i Drejtësisë në SHBA si një nga personat që mund të përfitojë një pjesë të konsiderueshme të pasurisë së Jeffrey Epstein.
Bëhet fjalë për Karyna Shuliak, e cila sipas dokumenteve mund të trashëgojë rreth 85 milionë euro, përfshirë edhe një unazë diamanti prej 33 karatësh.
Vlera e saktë e pasurisë së Epstein ende nuk është përcaktuar plotësisht, pasi një pjesë e konsiderueshme e fondeve është përdorur për kompensimin e viktimave të tij. Aktualisht, pasuria e mbetur vlerësohet të jetë mes 120 dhe 200 milionë dollarëve (rreth 100–170 milionë euro).
Emri i Shuliak doli në pah pas publikimit të miliona faqeve me dokumente dhe komunikime elektronike, të cilat zbuluan detaje mbi marrëdhënien e saj afro tetëvjeçare me financierin amerikan.
Sipas dosjeve, Epstein e përshkruante shpesh Shuliak si personin e tij të preferuar, i shprehte ndjenja personale dhe i kishte dhënë akses në karta bankare. Dokumentet pretendojnë gjithashtu se ai i kishte paguar asaj rreth 850 mijë eurogjatë viteve dhe kishte ndihmuar edhe familjen e saj në Bjellorusi.
Sipas të dhënave të bëra publike, Shuliak kishte udhëtuar në vende të ndryshme të botës me Epstein dhe e kishte ndihmuar në menaxhimin e disa çështjeve personale, përfshirë prona dhe staf.
Dokumentet tregojnë se Epstein kishte luajtur një rol të rëndësishëm edhe në arsimimin e saj. Ai dyshohet se e ndihmoi të pranohej në Shkollën e Mjekësisë Dentare të Universitetit Columbia dhe mbuloi kostot e studimeve të saj.
Shuliak thuhet se u takua me Epstein në vitin 2011, pasi kishte mbërritur në Shtetet e Bashkuara si studente.
Më vonë, sipas dokumenteve hetimore, Epstein organizoi një martesë të saj me një nga asistentët e tij, në mënyrë që ajo të siguronte status të ligjshëm qëndrimi në SHBA. Ajo më pas mori kartën e gjelbër dhe në vitin 2018 fitoi shtetësinë amerikane.
Pas arrestimit të Epstein në vitin 2019, Shuliak qëndroi jashtë vendit. Ndërkohë, pak para vdekjes së tij, ai ndryshoi testamentin duke përfshirë edhe dhuratën e unazës së diamantit.
Publikimi i dokumenteve ka shkaktuar reagime edhe në Universitetin Columbia, ku disa zyrtarë janë larguar nga pozicionet e tyre për shkak të përfshirjes së tyre të pretenduar në procesin e pranimit të Shuliak në institucion.
Rasti vazhdon të tërheqë vëmendjen për shkak të pyetjeve rreth pasurisë së mbetur të Epstein dhe personave që mund të përfitojnë prej saj pas vdekjes së tij.