Daniel Siad, rekrutuesi francez i modeleve, emri i të cilit ishte lidhur me çështjen e Jeffrey Epstein, është gjetur i vdekur në banesën e tij në Colombes, pranë Parisit. Ai ishte 69 vjeç.
Autoritetet franceze kanë hapur një hetim për të zbardhur rrethanat e vdekjes, ndërsa pritet që autopsia të përcaktojë shkakun zyrtar.
Emri i Siadit ishte përmendur në dokumente dhe dëshmi që lidhen me hetimet ndaj financierit amerikan Jeffrey Epstein.
Një prej grave që ka akuzuar Epstein për abuzim seksual kishte deklaruar se ishte pikërisht Siad ai që e kishte prezantuar me të, duke pretenduar se ai rekrutonte vajza të reja për t’i afruar me Epstein.
Siad i kishte hedhur poshtë vazhdimisht këto akuza, duke këmbëngulur se nuk kishte dijeni për abuzimet e kryera nga Epstein.
Përveç lidhjes me këtë çështje, ai ishte nën hetim edhe në Francë pas disa kallëzimeve për përdhunim. Edhe këto akuza ai i kishte mohuar vazhdimisht.
Pas lajmit për vdekjen e tij, përfaqësuesit ligjorë të disa viktimave deklaruan se ky zhvillim u ka mohuar atyre mundësinë për të marrë përgjigje dhe drejtësi, pasi Siad nuk arriti kurrë të merrej në pyetje nga autoritetet për akuzat që rëndonin ndaj tij.
Rasti rikthen në vëmendje edhe vdekjet e figurave të tjera të lidhura me rrjetin e Jeffrey Epstein.
Në vitin 2022, ish-agjenti i modeleve Jean-Luc Brunel u gjet i vdekur në një burg në Paris, ndërsa vetë Epstein humbi jetën në vitin 2019 në një burg në New York. Autoritetet amerikane e cilësuan vdekjen e tij si vetëvrasje, megjithëse rasti vazhdon të jetë objekt debatesh dhe teorish të shumta.