Sport

Kush është Jens Castrop, futbollisti që do të bëjë histori me Korenë e Jugut në Kupën e Botës 2026!

Koreja e Jugut do të nisë aventurën e saj në Kupën e Botës 2026 me një rekord historik në përbërje. Në skuadrën e drejtuar nga Hong Myung-bo është përfshirë Jens Castrop, futbollisti i parë i lindur jashtë Koresë së Jugut që do të përfaqësojë vendin në një Kampionat Botëror.

Mesfushori 22-vjeçar ka lindur në Düsseldorf të Gjermanisë dhe është rritur në akademitë e futbollit gjerman. Ai është formuar te klubet e të rinjve të qytetit të tij dhe te FC Köln, ndërsa më pas vijoi karrierën te Nürnberg.

Performancat e tij të mira bënë që në verën e vitit 2025 të transferohej te Borussia Mönchengladbach, e cila pagoi rreth 4.5 milionë euro për kartonin e tij. Gjatë sezonit të fundit, Castrop zhvilloi 26 ndeshje në Bundesliga, duke u kthyer në një nga elementët më të rëndësishëm të skuadrës.

Edhe pse ka përfaqësuar ekipet e moshave të Gjermanisë, Castrop kishte të drejtën të luante për Korenë e Jugut falë origjinës së nënës së tij, e cila është koreano-jugore. Në vitin 2025 ai vendosi të ndryshojë përfaqësimin sportiv dhe të bashkohet me kombëtaren aziatike.

LEXO EDHE: Pak orë nga starti i Botërorit/ Ja kush janë pretendentët për t’u shpallur kampionë këtë vit sipas bookmakers-ave!

Vendimi i tij u shpërblye menjëherë me një ftesë për Kupën e Botës 2026, ku tashmë ndan dhomat e zhveshjes me yjet më të mëdhenj të futbollit koreano-jugor, si Son Heung-min dhe Kim Min-jae.

Përfshirja e Castrop në skuadër shënon një moment historik për futbollin koreano-jugor dhe tregon gjithnjë e më shumë ndikimin e futbollistëve me origjinë të dyfishtë në arenën ndërkombëtare.

LEXO EDHE: Sot starton Kupa e 23-të e Botës, duele legjendare/Digitalb, aty ku rreh zemra e futbollit botëror!