Në Kosovë, deputetët mblidhen sërish sot, në një tentativë të radhës për konstituimin e legjislaturës së nëntë. Kjo është përpjekja e 43-të me radhë për të patur një Kuvend funksional. Vazhdimi i fundit i seancës u bë mbrëmjen e së shtunës, më 5 korrik, pasi më herët gjatë ditës u dha një alarm për bombë që rezultoi i rremë.
Dështimet për konstituimin e Kuvendit po vazhdojnë edhe pasi Gjykata Kushtetuese e Kosovës i ka detyruar deputetët që ta krijojnë Kuvendin brenda datës 26 korrik. Seanca e konstituimit ka nisur më 15 prill. Prej asaj date, duhet theksuar se deputetët e zgjedhur në parlamentaret e 9 shkurtit janë betuar, por ende nuk kanë arritur të formojnë legjislativin.
Procesi ka ngecur te zgjedhja e kryetarit të Kuvendit, pasi Lëvizja Vetëvendosje, në koalicion me Guxo dhe Alternativën, nuk po arrijnë të sigurojnë 61 votat e nevojshme në votim të hapur, për të zgjedhur Albulena Haxhiun në krye të këtij institucioni.
Ata po kërkojnë që votimi të bëhet në mënyrë të fshehtë, çka nuk pranohet nga partitë e tjera parlamentare. Thirrje për të dalë nga kjo krizë institucionale po drejtohen vazhdimisht si brenda, ashtu dhe jashtë Kosovës. Deri tani, presidentja Vjosa Osmani ka zhvilluar disa takime me përfaqësues të partive politike, në një përpjekje për të zgjidhur ngërçin. Por, deri tani nuk ka arritur të shënojë sukses.