Rajoni

Pas votimit, Vjosa Osmani: Pa qytetarët nuk ka demokraci!

Pas votimit, kandidatja për presidente e Kosovës nga Lidhja Demokratike, Vjosa Osmani, tha se është mirënjohëse për qytetarët sa iu përket proceseve zgjedhore.

Tashmë jemi në heshtje zgjedhore, por natyrisht unë jam shumë  e lumtur me mënyrën si qytetarët e Kosovës, e marrin si detyrim kombëtar mundësinë që me kontribu në çdo proces zgjedhor edhe kjo është shumë shumë me rëndësi, sepse pa ta nuk ka demokraci dhe për këtë jam tepër mirënjohëse, për gjithçka që bëjnë për këtë vend dhe nuk e ndalin kurrë kontributin.

Osmani u bëri thirrje qytetarëve që të marrin pjesë në procesin zgjedhor, duke theksuar rëndësinë e krijimit sa më të shpejtë të institucioneve dhe tejkalimit të krizave politike në vend.

Uroj për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës një proces zgjedhor të rregullt, një proces zgjedhor që i kontribuon demokracisë në vendin tonë, që i kontribuon edhe krijimit të institucioneve sa më parë që të jetë e mundur, në mënyrë që Kosova të dalë nga krizat e njëpasnjëshme.

Kjo është në interes të vendit tonë, është në interes të qytetarëve tanë dhe do ta forcojë Kosovën edhe përbrenda edhe jashtë kufijve të saj. Kështu që shpresoj shumë që sa më shumë qytetarë tanë ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre demokratike në mënyrë që të dëgjohet zëri i tyre në këtë proces kaq të rëndësishëm e kaq jetik për vendin tonë.

Unë jam e bindur që me votën e qytetarëve sot do të mundësohet rruga drejt krijimit të shpejtë të institucioneve dhe do të dalim nga krizat e njëpasnjëshme të cilat e kanë dëmtuar vendin tonë.