Fashion Lifestyle

Ky trend i ri çantash ka për t’ju habitur!

E hapur sikur po thua “s’ma ndien”, por në mënyrë elegante. Si një gjest i shpërqendruar, i dikujt që nuk e vret mendjen nëse i duket çfarë ka brenda. Dikur ishim mësuar me çantat që i mbushnim me gjithçka: fletore, shalle të bërë top, gjëra pa ndonjë rëndësi deri sa mbyllja të bëhej praktikisht e pamundur. Sot çanta mbahet kështu: e hapur.  Një hyrje në privatësi e diktuar nga shtëpitë e mëdha të modës, që mesa duket kanë gjetur “lojën” e radhës: ta kthejnë çantën në rrëfim të dukshëm. Shembulli tipik vjen nga Loewe: drejtorët e rinj kreativë, Jack McCollough dhe Lazaro Hernandez, e lënë ikonën Arizona qëllimisht hapur, pa e mbyllur me zinxhirin që ekziston një gjest i vetëdijshëm, paksa lojcak, që sugjeron mënyra të reja mbajtjeje. Dhe i shkon për shtat atmosferës së koleksionit, bashkë me ato “jelly shoes” që na kthejnë te kujtimet fëminore.

Edhe te Fendi, Peekaboo mbetet e hapur por me një rregull të pashkruar: mos e mbush shumë, se pastaj humbet “magjia” e brendshme, ato detaje luksoze brenda, mes mozaikëve me rruaza shumëngjyrëshe, thekseve lime dhe luleve të vogla tridimensionale. Ndërsa te Dior, historia ndryshon: çanta e re me një dorezë të vetme, e zbukuruar me fjongo, ka në fakt një kapak të brendshëm që e mbulon përmbajtjen. Pra, e hapur jashtë, por e kontrolluar brenda. Te Chanel, është një tjetër film: legjendarja 2.55, e konceptuar nga Matthieu Blazy, duket si një objekt “art & craft” gati i pamundur për t’u mbyllur. Brendësia bordo shihet qartë dhe në lëkurë janë shtuar fije metalike që çanta të manipulohet sipas dëshirës së asaj që e mban.

Ndërkohë, Dilara Findikoglu sjell në pasarelë çanta “granny purse” që derdhen nga përmbajtja: nga paketa cigaresh te charms, e deri te detaje që ngjajnë me rripa reçipetash si një homazh për gratë dhe për “jetën e tyre të brendshme”, të vendosur në dritë. Dhe po: kjo ide lidhet me diçka shumë konkrete, përmbajtja e çantës. Ndoshta s’ka objekt më “psikologjik” se çanta e një gruaje: është si një zgjatim i identitetit. Siç shkruan Inès de la Fressange në parathënien e librit Borse të Sophie Gachet: kur një grua zgjedh një çantë, e kthen menjëherë në një projeksion të vetes; një reflektim të identitetit; një “magji” që e plotëson imazhin dhe, mbi të gjitha, e afron me personin që dëshiron të jetë.

Po çfarë po i themi botës kur e lëmë çantën hapur? Është deklaratë transparence apo një pozë e menduar? Liri apo një shfaqje tjetër e modës? Të shfaqësh gjithçka bllokun, buzëkuqin drejt fundit, kufjet e ngatërruara, faturat e zhubravitura është vërtet autenticitet, apo një formë e re “styling-u narrativ”, ku edhe rrëmuja është e kuruar, madje e dëshirueshme? Një përpjekje për të kopjuar Jane Birkin… që realisht s’kopjohet dot. Në një kohë kur privatësia është bërë luks, ja ku vjen edhe trendi i çantës së hapur: “më shiko, s’kam ç’të fsheh”, sikur thotë. Po a është vërtet kështu? Apo po ofrojmë thjesht një version të redaktuar të kaosit, një çrregullim perfekt chic?

Ka edhe diçka provokuese në këtë: një objekt i krijuar për të ruajtur, mbrojtur, mbyllur, i hiqet qëllimisht funksioni kryesor. Ç’është çanta, në fund, nëse jo një vend për të futur (dhe fshehur) gjërat? Dhe çfarë do të thotë një çantë e hapur si shenjë e “moskokëçarjes” së dikujt që s’ka frikë as nga vjedhja, as nga gjykimi, as nga shiu për hir të një estetike të “imperfect”-it të zgjedhur, të sendit të jetuar por shumë të shtrenjtë, të idesë se luksi i vërtetë s’ka nevojë të mbrohet… ose ndoshta ka, por mund të shtiret sikur jo.