Botë e Çuditshme Tech

Ky vend ka shpikur qenin robot që transporton 100 kg peshë dhe jo vetëm kaq…

Një qen robot me gjashtë këmbë është shpikur në Kinë dhe mendohet të lehtësojë transportin e mallrave. Ai është bërë protagonist i testeve që po zhvillohen në zonën akullnajore të Antarktidës. Qeni robot ka aftësinë jo vetëm të mbajë deri në 100 kg mbi shpinë, por edhe të ecë pa rrëshqitur mbi borë dhe akull. Stabiliteti i atribuohet këmbëve të bëra posaçërisht për t’i rezistuar temperaturave ekstreme deri në minus 40 gradë Celsius, duke parandaluar rrëshqitjen dhe minimizuar dëmtimin e sipërfaqes së akullit. Qeni robot është i pajisur me një sistem baterish që i lejon të funksionojë deri në dy orë pa ndërprerje.

Në Uashington është prezantuar një iniciativë interesante për të luftuar izolimin social të të moshuarve, duke u ofruar atyre “Robopets”, ose robotë që luajnë rolin e një kafshe shtëpiake. Rreth 1,000 nga këto “Joy for All Companion Pets” janë shpërndarë falas, me një investim prej 150,000 dollarësh, për të ofruar shoqëri dhe ngushëllim për të moshuarit që jetojnë të vetmuar. Këto robokafshë janë të programuar për të imituar sjellje të kafshëve të vërteta, si qeni apo mace.

Për më tepër, këto kafshë robotike nuk kërkojnë asnjë kujdes apo ndihmë shëndetësore. Iniciativa ka për qëllim të reduktojë nivelin e izolimit që ka përfshirë shumë të moshuar në Uashington, ku shumë prej tyre jetojnë të vetmuar. Ekspertët e shëndetit kanë theksuar se kjo mund të ketë një ndikim pozitiv në mirëqenien e të moshuarve, duke u ofruar atyre një shoqëri që mund të parandalojë depresionin dhe ndihmon në ruajtjen e shëndetit të tyre mendor dhe fizik. Rikujtojmë se Kina do të organizojë një gjysmë-maratonë, të parën në botë mes robotëve me dy këmbë dhe 12,000 vrapuesve njerëzorë. Dhjetëra robotë nga 20 firma të ndryshme të teknologjisë do të bëhen gati për një test teknologjik.