Në Uashington është prezantuar një iniciativë interesante për të luftuar izolimin social të të moshuarve, duke u ofruar atyre “Robopets”, ose robotë që luajnë rolin e një kafshe shtëpiake. Rreth 1,000 nga këto “Joy for All Companion Pets” janë shpërndarë falas, me një investim prej 150,000 dollarësh, për të ofruar shoqëri dhe ngushëllim për të moshuarit që jetojnë të vetmuar. Këto robokafshë janë të programuar për të imituar sjellje të kafshëve të vërteta, si qeni apo mace.
Për më tepër, këto kafshë robotike nuk kërkojnë asnjë kujdes apo ndihmë shëndetësore. Iniciativa ka për qëllim të reduktojë nivelin e izolimit që ka përfshirë shumë të moshuar në Uashington, ku shumë prej tyre jetojnë të vetmuar. Ekspertët e shëndetit kanë theksuar se kjo mund të ketë një ndikim pozitiv në mirëqenien e të moshuarve, duke u ofruar atyre një shoqëri që mund të parandalojë depresionin dhe ndihmon në ruajtjen e shëndetit të tyre mendor dhe fizik.
Rikujtojmë se Kina do të organizojë një gjysmë-maratonë, të parën në botë mes robotëve me dy këmbë dhe 12,000 vrapuesve njerëzorë. Dhjetëra robotë nga 20 firma të ndryshme të teknologjisë do të bëhen gati për një test teknologjik. Ekspozita inxhinierike vjen ndërsa Kina shton përpjekjet e saj për të provuar veten si kryesues në garën e inteligjencës artificiale në raport me SHBA-në. Krahas pretendentëve mekanikë do të jenë 12,000 njerëz për të lejuar një krahasim midis teknologjisë dhe modeleve të saj njerëzore.
Ndërkaq një robot plotësisht autonom, i kontrolluar nga inteligjenca artificiale, ka kryer për herë të parë një procedurë të plotë dentare te një pacient, rreth tetë herë më shpejt se një dentist njerëzor. Kjo teknologji e re jo vetëm që përshpejton procesin, por eliminon edhe rrezatimin e dëmshëm të rrezeve X, duke përdorur teknologjinë OCT, e cila krijon modele me rreze drite dhe zbulon kavitetet me një saktësi prej rreth 90%. Në këtë fazë, dentisti dhe pacienti mund të diskutojnë për atë që duhet bërë, dhe pasi vendimet të merren, roboti stomatolog merr kontrollin.