Skënderbeu ka fituar një “finale” për mbijetesën në transfertë ndaj një rivali direkt si Laçi dhe për momentin e sheh veten në pozita pak më të favorshme për të siguruar mbijetesën në Superiore.
Në sfidën e luajtur në stadiumin e kurbinasve, skuadra e drejtuar nga Ernest Gjoka goditi në momentin e duhur në dy pjesët e ndeshjes me anë të Bismark, ndërsa goli i Kordeiro nuk i mjaftoi ekipit vendas që krijoi më shumë volum loje, por pa arritur të çante mbrojtje e ngjeshur të korçarëve.
LEXO EDHE: Fitore në momentin e duhur, Bylisi del nga kriza përballë Vllaznisë që e mbyll me 10 lojtarë
Kësisoj, Skënderbeu merr një bonus të rëndësishme për mbijetesën, ndërsa Laçi sheh gjithnjë e më afër rënien në Kategorinë e Parë.
Trajneri i Skënderbeut, Ernest Gjoka, pas ndeshjes tha se ishte meritë të futbollistëve të tij:
“Ishte ndeshje shumë e rëndësishme, shumë e fortë me një kundërshtar direkt për luftën për zonën e ftohtë. Sot ishte meritë absolute e futbollistëve të mi, skuadra tregoi atë që duam çdo javë më shumë, tregoi forcën, cilësinë që ka, për më tepër në fushë të tillë dhe me kushte me erën, ku ata nuk u dorëzuan në asnjë sekondë.
Nuk mund të luanim topin poshtë, ishte rrezik i madh se era ndikonte, nuk mund të rrezikonim, zgjodhëm alternativën tjetër, që të mos bënim ndonjë gabim. Absolutisht nuk luhej dot poshtë, te zona e portierit ishte rrezik shumë i madh dhe zgjodhëm këtë gjënë tjetër.
Kundërshtari filloi duke na lëshuar fushë dhe në atë moment nuk mund të mos e menaxhonim atë situatë dhe arritëm deri te goli.
Ka momente të ndryshme në lojë dhe e dini që të jep disa momente që të vijnë edhe paqartësitë e zonave. Disa here edhe nuk u koordinuam mirë. Duhej të ishte në ndihmë edhe Juri në mesfushë, por intensiteti i Laçit na kapi edhe në gabime. Por është e qartë që nuk mund të jesh perfekt gjatë 90 minutave.
Përveç ndërrimi të Dokës, i cili kishte probleme gjatë lojës por e shtymë që të ishte prezent për eksperiencën që ka, ndryshimi i Nikajt dhe Jurit ishte për të dhënë energji më shumë dhe për të shfrytëzuar hapësirat që na jepte Laçi. Pikat tona që i zëvendësuam, nuk po diskutoj futjen e Ramos si mbrojtës, por Janaqi dhe Lukas na dhanë shumë hapësirë. Lukas na dha shumë oksigjen gjatë fazës tonë të sulmit”, tha Gjoka.
Trajneri i Laçit, Françesko Moriero, ka theksuar se humbja e sotme ndaj Skënderbeut ishte rrjedhojë e ndeshjeve të fundit për skuadrën që drejtonte.
“Kemi bërë ndeshjen për ta fituar, ishte ndeshje delikate. Por kohët e fundit, pësojmë gol me gjysmë gjuajtje në portë. Më vjen keq për djemtë, klubin, por duhet vetëm të luftojmë, të mundohemi të marrim sa më shumë pikë të jetë e mundshme në këto ndeshje.
Jemi munduar të përshtatemi me kushtet, u munduam shumë herë që të çonim lart mbrojtjen dhe të luanim me top të gjatë. Sinqerisht nuk di ta shpjegoj, se rrallë më ka ndodhur një gjë e tillë, është e vështirë ta shpjegosh taktikisht, sepse kemi bërë gjthçka për të fituar ndeshjen. Me një gjysmë gjuajtje në portë pësuam gol, edhe si ndodh në ndeshjet e fundit, e komplikojmë vete jetën tonë. Kam pak fjalë për të përshkruar trishtimin tim, por do të ecim përpara.
Po ta kisha zgjidhjen, do ta kisha zgjidhur. Duhet të punosh në disa situata në mënyrë individuale, të punoj 24 orë në 24 me djemtë nuk mund të bëhet. Pastaj janë episodet që bëjnë diferencën si në favor, ashtu edhe kundër. Por ky nuk është alibi, por në ndeshjet e fundit kemi pësuar gjithmonë shumë pak lojën dhe nuk kemi arritur të marrim rezultat pozitiv”, tha Moriero.