Aktualitet

Ish-ministri Ilir Beqaj shtrohet me urgjencë në QSUT!

Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, është shtruar me urgjencë në QSUT, Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë. Raportohet se Beqaj ka temperaturë të lartë e një infeksion të rëndë në lëkurë. Sipas informacioneve, gjendja e tij vijon e pastabilizuar.

Ilir Beqaj ndodhej në paraburgimin e Durrësit prej korrikut 2024. Në fillim të prillit, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar përfundoi hetimet për çështjen e fondeve të SASPAC-ut duke kërkuar gjykimin e 11 të pandehurve, mes të cilëve ish-ministri i Shëndetësisë, i cili ka drejtuar Agjencinë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës.

Ndaj tij u kërkua gjykim për 6 akuza. Beqaj akuzohet për korrupsion pasiv, shkelje të barazisë në tendera, mashtrim me pasoja të rënda, falsifikim dokumentesh dhe fshehje të pasurisë. Mes të pandehurve janë edhe ish-bashkëpunëtorë të tij si Ermal Kurtulaj e përfaqësues të disa kompanive private, të akuzuar për mashtrim dhe korrupsion aktiv.

Hetimet zbuluan se tenderët për disa konferenca të organizuara nga SASPAC në vitin 2023, ishin zhvilluar në mënyrë fiktive, me fitues të paracaktuar e procedura të manipuluara. Gjithashtu, Beqaj akuzohet për fshehjen e pasurisë, përfshirë prona e investime të padeklaruara. Si pjesë e hetimeve, SPAK ka vendosur sekuestro mbi disa pasuri të pandehurve, si apartamente, llogari bankare e automjete.

Paralelisht, Ilir Beqaj po përballet në gjykatë me një tjetër proces penal për çështjen e Sterilizimit, për të cilën po gjykohet me procedurë të zakonshme.