Ministri i Brendshëm Besfort Lamallari ka reaguar nga Elbasani në lidhje me protestën e djeshme në Tiranë, ku policia ushtroi dhunë ndaj protestuesve.
Lamallari u shpreh se policia ka zbatuar detyrën në mënyrë profesionale, dhe sipas tij, ka bërë dallimin midis protestuesve që ushtrojnë të drejtën e tyre kushtetuese dhe një grupi personash që janë shkelës të ligjit.
Sipas Lamallarit dhuna në bulevard nisi me dhunë ndaj punonjësve të policisë, ndërsa theksoi se protesta është e ligjshme.
“Policia e shtetit gjatë protestave e ka zbatuar detyrën ne mëmyrë të shkëlqyer dhe profesionale duke e bërë dallimin e qartë midis protestuesve që ushtrojnë të drejtën e tyre kushtetuese dhe nga ana tjetër kemi një grusht personash që nuk kanë lidhje fare ne protestën që janë thjesht shkelës të ligjit. Ata vandalizojnë pasurinë publike dhe përgjigja e policisë ndaj tyre do jetë proporcionale me shkeljen e ligjit dhe do marrin përgjigjen e merituar. Ka dy momente qe dua te veçoj bazuar ne fakte. Dhuna ne bulevard nisi me dhune ndaj punonjësve te policisë se Shtetit. Protesta është e ligjshme por nuk mund te goditen punonjësit e policisë e as gazetaret. Kemi kërkesë nga unioni i gazetareve per te mbrojtur gazetaret ne ushtrimin e detyrës. Një grusht personash qe dëmtojnë pasurinë publike dhe dhunojnë çdo gjë s’janë protestues por vandale”, tha ai.
Pas akteve të dhunës te regjistruara para ambienteve të Parlamentit të Shqipërisë, 19 persona janë arrestuar dhe ndodhen në paraburgim. Përveç prishjes së rendit, bllokim të rrugëve e shkatërrim të pronës, këta protestues kanë qëlluar me gurë efektivë të Policisë së Shtetit e me vezë deputetë të Kuvendit. Mes të arrestuarve është dhe një prej organizatorëve, Gentjan Progni si dhe protestuesit Arbër Lleshaj, për shkak se ka goditur dhe një gazetar gjatë detyrës.
Konkretisht të arrestuarit akuzohen për veprat penale “Shkatërrim prone”, “Kundërshtim i punonjësit të policisë”, “Goditje për shkak të detyrës”, “Prishje e rendit dhe e qetësisë publike”, “Organizim dhe pjesëmarrje në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”, “Mosbindje ndaj urdhrit të ligjshëm të punonjësit të policisë” dhe “Pengim i qarkullimit të mjeteve të transportit”.