Sot mbahen homazhet në nder të gazetarit dhe publicistit të njohur, Artur Zheji. Nga ora 10:00 deri në 12:00, në ambientet e Universitetit të Arteve të Bukura do t’i jepet lamtumira gazetarit, analistit, ish-drejtorit të përgjithshëm të RTSH-së e ATSH-së. Artur Zheji u nda nga jeta dy ditë më parë, në moshën 64-vjeçare, në qytetin e Sarandës, ku ndodhej për pushime me familjen.
Zheji njihej si një nga figurat e spikatura në gazetari dhe publicistikë. Me një karrierë të gjatë në media, u bë një nga zërat dhe penat më të spikatura të gazetarisë e debatit publik në Shqipëri. Po ashtu ka shërbyer në funksione drejtuese në disa media, në Radio Televizionin Shqiptar dhe Agjencinë Telegrafike Shqiptare (ATSH).
Për vite me radhë, Artur Zheji do të jepte kontributin e tij si analist, drejtues emisioni, por edhe si editorialist e komentues politik, duke lënë gjurmë në mendimin mediatik shqiptar.
I lindur më 29 gusht 1961, Artur Zheji ishte i biri i eruditit Petro Zheji dhe aktores së njohur Besa Imami. U diplomua për regjisor në Institutin e Lartë të Arteve, ku spikati dhe la gjurmën e tij në dramaturgjinë shqiptare. Në skenën e Teatrit Kombëtar, u vendos në skenë drama e tij “Raimonda”, përgjatë kohës së diplomimit.
Pas diplomimit, Zheji u zhvendos në Itali ku qëndroi për rreth 10 vite. Aty, punoi në “Radio Radicale” si specialist i çështjeve të Evropës dhe Ballkanit, përgjatë kohës së luftës së Kosovës, duke u bërë kështu dhe një zë i rëndësishëm i shqiptarëve në arenën ndërkombëtare. Që prej vitit 2017, ai ishte drejtues i emisionit politik dhe analitik 360 Gradë.
Humbja e tij e papritur ka tronditur jo vetëm familjen, por edhe kolegët dhe opinionin publik, të cilët e shihnin si një figurë me integritet dhe profesionalizëm të lartë. Vdekja e Artur Zhejit konsiderohet një humbje e madhe për gazetarinë, analizën politike dhe median shqiptare në përgjithësi. Ja çfarë shkruante për vdekjen, mbi 1 vit më parë:
Ka pak raste të rralla, ku njeriu i vogël, apo njeriu i vetëpandehur i madh, zhubroset, tkurret dhe vjen befas në vete!
Krenare dhe me vështrim të tejpërtejshëm, duke kërrusur në trup dhe në fytyrat e vrerosura, madhështitë e rreme të viktimave të saj të ardhshme.Dhe zagarët ndjehen zagarë dhe jo ndonjë kafshë tjetër.
Dhe kobrat ndjehen nëpërka tinzare e të pabesa, kokëulura dhe banuese të vrimave të fshehta ku thurrin planet e kafshimeve të ardhshme helmuese…
Dhe titullarët e pushtetit trullosen dhe ndjehen Askushi, kur shohin në sytë pa sy Mbretëreshën e Zezë.
Këtë Zonjë madhështore që një ditë vendos Drejtësi Hyjnore, mbi vampirët hipokritë të së përditshmes, ngjeshur dhe fshehur fort mirë, mbas kostumeve dhe kollareve të shtrenjta.
Ata, kinse të vrerosur, parakalojnë kokëulur, në funeral, buzë Zonjës Madhështore, Mbretëreshës së Zezë, me duart me unaza të arta, që ju fshehin paq njollat e gjakut që nuk ju lahen dot.
Ajo qëndron mbi krye të udhëtarit të rradhës për në Botën tjetër dhe i kqyr të gjithë si i kqyr Shqiponja, minjtë brejtës të Vendit tim.
Dhe Mbretëresha, që lodron si fllad në atë log të përzishëm, dëgjon lutjet e tyre të heshtura, që ta shtyjnë sa më shumë takimin me të, të Pakorruptueshmen Absolute!
Por Ajo, e Madhërishmja, vazhdon të lodrojë si fllad, mbi atë gumëzhitje milingonash, gjarpërinjsh e hienash dhe përkëdhel ëmbël veç ata, që njerëzisht vuajnë vërtetë për të ndjerin që Ajo ka ardhë të marrë me vete…
Këtë perceptim ndjeva kur sodisja Funeralin e Shtetit për Ismail Kadarenë në udhëtimin e tij ndërmjet dy Botëve.
Shkrimtari i mprehtë dhe ironik, virtuoz dhe vetmitar në më të shumtën e jetës së tij, vështroi së fundmi shumë nga personazhet që kishte qesëndisur dhe tallur, të mbanin rradhën në funeralin e tij.
Në të vërtetë, kjo është hakmarrja e tmerrshme e mikrobotës, ndaj atyre që i kanë shpërfillur së gjalli, ju vijnë në funeral, duke ja trazuar qetësinë që lipset në këto raste.
Ndaj dhe e mirëkuptova thellësisht Helena Kadarenë, që largoi turmën e Hiçave të shumtë, në çastet e shkurtra të ndarjes me Ismailin e saj.
Kush nuk kupton, nuk është më puna ime!