Aktualitet

Largimi para kohe nga jeta i Artur Zhejit, reagon Rama: Lamtumirë mik kohësh të tjera dhe e gjetsh matanë paqen për shpirtin

Kreu i qeverisë Edi Rama ka reaguar pas vdekjes së parakohshme të gazetarit Artur Zheji. 

Në një reagim në rrjete sociale, Rama shpreh ngushëllime për ndarjen nga jeta të gazetarit dhe publicistit të njohur.

“Lamtumirë mik kohësh të tjera dhe e gjetsh matanë paqen për shpirtin “, shkruan Rama.

Edhe Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka reaguar me një mesazh ngushëllimi në rrjetet sociale pas ndarjes së papritur nga jeta të gazetarit, analistit dhe publicistit të njohur Artur Zheji.

Në statusin e tij në Facebook, Presidenti Begaj u shpreh:

“Ngushëllimet më të ndjera familjes dhe komunitetit të medias për ndarjen e papritur nga jeta të Artur Zhejit, një prej zërave më aktiv, më të angazhuar dhe më moderatorë e kontribues në debatin publik në Shqipëri.”

Në një reagim nga qelia, në rrjetet sociale, gjithashtu edhe Veliaj i shpreh ngushëllimet familjarëve pas vdekjes së parakohshme të Artur Zhejit.

Reagimi i Veliaj:

Lajm fort i hidhur ndarja nga jeta e Artur Zhejit!

Ngushëllime familjes, të afermve, miqve e kolegëve për humbjen e rëndë të gazetarit dhe publicistit të shquar, që i dha shumë medias shqiptare nga vitet ‘90 e deri sot.

Arturi ishte një intelektual i spikatur, një mendje kritike dhe një gazetar kalibri që do t’i mungojë shumë publikut.

Prehu në paqe mik i mirë!

Gjithashtu edhe kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha ka reaguar pas lajmit për ndarjen nga jeta para kohe të gazetarit dhe publicistit Artur Zheji.

Berisha i shpreh ngushëllime të sinqerta familjarëve, duke e cilësuar largimin e tij të beftë dhe të parakohshëm.

 Reagimi i Berishës:

Homazh për Artur Zhejin!

Miq, gazeteri, analisti, botuesi, publicisti i mirënjohur Artur Zheji mbylli sot, papritmas dhe parakohe, sytë përgjithmonë.

Duke shprehur ngushëllimet e mia më të ndjera familjes, miqve të afërmëve, unë lutem së bashku me ta që shpirti i Arturit të tyre të dashur të gjejë paqen e merituar. Amin.