Aktualitet

Lana gati të dalë nga shtrati! Rrezik përmbytjesh në Tiranë!

Reshjet intensive të shiut kanë përfshirë edhe kryeqytetin gjatë orëve të fundit, duke sjellë rritje të ndjeshme të prurjeve në lumin Lana.

Zona pranë Pallatit me Shigjeta cilësohet si më problematikja dhe më e ndjeshmja, ku rreziku që Lana të dalë nga shtrati është më i lartë.

Kjo zonë është përmbytur edhe në episode të mëparshme të reshjeve në kryeqytet.

Sidoqoftë megjithë rritjen e nivelit të ujit, në Tiranë deri tani nuk janë regjistruar përmbytje, dëme materiale apo bllokime të qarkullimit rrugor.

Situata në kryeqytet vlerësohet më e qetë krahasuar me zona të tjera të vendit, ndërsa reshjet pritet të vijojnë edhe në orët në vijim.

LEXO EDHE: Mbledhja e “Emergjencave” në Durrës, Vengu: Kthimi i banorëve në banesa prioritet, hidrovorët në punë!

Kujtojmë se reshjet e dendura të shiut të rëna në orët e fundit nxorën nga shtrati lumin e Vjosës, pranë Urës së Mifolit në Vlorë, duke shkaktuar përmbytje në tokat bujqësore dhe rrezik për banesat përreth.

Niveli arriti deri në 7.1 metra. Deri më tani, raportohet për rreth 40 hektarë tokë të përmbytur. 13 familje me shtëpi pranë shtratit të lumit u evakuuan, ndërsa 14 të tjera rrezikohen. Reshjet intensive shkaktuan rrëshqitje të dherave në fshatin Vajzë të bashkisë Selenicë, duke çarë fillimisht rrugën dhe duke shkatërruar 2 banesa menjëherë poshtë rrugës.

LEXO EDHE: Shembje shkëmbinjsh e dherash bllokojnë aksin Burrel-Rrëshen, qarkullimi me një sens!

Niveli në rritje i prurjeve në lumin Vjosë, shkaktoi probleme edhe në krahun tjetër të urës së Mifolit, në fshatrat e Fierit Çerven, Kashishtë e Ferras ku tokat bujqësore janë brenda argjinaturës përgjatë lumit. Reshjet me intensitet të lartë dhe të zgjatura në 3 orë pa mbarim gjatë mëngjesit nxorën nga shtrati edhe përroin Lunjë në Lushnje, duke përmbytur disa toka të mbjella dhe serat në Karbunarë, por situata sipas autoriteteve është nën kontroll, pasi hidrovorët kanë punuar me kapacitet të plotë.