Ende nuk ka një datë të përcaktuar për firmosjen e marrëveshjes së armëpushimit mes SHBA-ve dhe Iranit. Presidenti Donald Trump ka deklaruar se nënshkrimi është shumë afër dhe se mund të ndodhë dhe brenda kësaj të diele, por ende nuk ka një konfirmim nga Irani zyrtar. Armëpushimi është vënë në pikëpyetje nga Kryenegociatori i Iranit, Mohammad Bagher Ghalibaf pas sulmeve izraelite me raketa në Bejrutij jugor ku u vranë të paktën 3 persona.
“Agresioni sionist në Dahiyeh ka treguar edhe një herë se Amerikës ose i mungon vullneti ose aftësia për të përmbushur angazhimet e saj”, shkroi Kryetari i Parlamentit iranian në X. “Nuk mund të arrish rezultate duke i dhënë regjimit dritën jeshile. Loja e policit të mirë, policit të keq është e vjetër. Nëse nuk ke vullnetin dhe aftësinë për të përmbushur detyrimet e tua, nuk ka kuptim të flasësh për të vazhduar në këtë rrugë”, shtoi ai, duke nënkuptuar se marrëveshja është në rrezik.
Ministria e Jashtme izraelite tha se ishte grupi i Hezbollahut që sulmuan të parët mbi civilët izraelitë.
“Regjimi iranian, si gjithmonë, gënjen. Ishte Hezbollahu, grupi aleat i Iranit, që sulmoi Izraelin përsëri këtë mëngjes, pa asnjë provokim.”
Kryeministri Benjamin Netanyahu dhe Ministri i Mbrojtjes Israel Katz e konfirmuan sulmin duke deklaruar se Izraeli “nuk do të tolerojë zjarr të drejtpërdrejtë në territorin e tij”.
Presidenti Trump reagoi për sulmin në Bejrut duke thënë se “Sulmi i këtij mëngjesi në Bejrut nuk duhej të kishte ndodhur kurrë, veçanërisht në një ditë kaq të rëndësishme, pasi tani jemi në prag të një marrëveshjeje paqeje me Iranin. Izraeli ka të drejtë të mbrohet nga kërcënimet, por sulmi ndaj të cilit iu përgjigj ishte i papërfillshëm dhe pa ndonjë rëndësi të vërtetë – duke mos shkaktuar lëndime apo viktima – dhe nuk duhet ta rrezikojë këtë proces themelor. Të gjitha palët duhet të tërhiqen. Ky mund të jetë fillimi i një paqeje të gjatë dhe të mrekullueshme: le të mos e prishim atë.”
Agjencia e lajmeve Reuters zbuli edhe disa nga pikat që përmban draft-marrëveshja SHBA-Iran. Sipas saj, irani rihap menjëherë Ngushticën e Hormuzit për të gjitha anijet tregtare, ndërsa SHBA-të heqin bllokadën detare ndaj porteve iraniane. Po ashtu, SHBA-të bien dakord të heqin të gjitha sanksionet e SHBA-së dhe të OKB-së ndaj Iranit, sipas një afati kohor të dakordësuar. Nga ana tjetër, sipas draftit, Shtetet e Bashkuara do të lirojnë 25 miliardë dollarë nga asetet e ngrira të Iranit, dhe do të përgatisin një plan rindërtimi dhe zhvillimi për Iranin, i cili do të negociohet dhe do të miratohet me Teheranin brenda 60 ditëve.
Sa i përket temës që lidhet m armët bërthamore, Teherani pranon se as nuk do të prodhojë dhe as nuk do të blejë armë bërthamore. Në pritje të një marrëveshjeje përfundimtare, Irani do të ruajë statusin aktual të programit të tij bërthamor, duke u përmbajtur nga pasurimi i mëtejshëm i uraniumit dhe zgjerimi i objekteve bërthamore.