Aktualitet Politikë

Listat e PS, Rama: Skuadra jonë e ndërtuar që nga shtatori i kaluar!

Ndërsa dje Partia Socialiste prezantoi listat e kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e 11 Majit e ku binte në sy një numër i lartë emrash të rinj, sot në rubrikën “Sy m’Sy”, kryeministri Edi Rama tha se është bërë një “hapje brutale” e partisë.

Listat e hapura dhe partia e mbyllur, listat e mbyllura dhe partia e hapur. Këto kanë qenë dy pikat strategjike. Listat e hapura dhe partia e mbyllur do të thotë që në kushtet kur të gjitha përpjekjet për të hapur partinë bëjnë një efekt relativ dhe konsumi i kohës që partia të hapet është i jashtëzakonshëm, rezultati është shpeshherë mediokër.

Listat e mbyllura dhe partia e hapur do të thotë që ne i kemi shfrytëzuar listat e mbyllura për të hapur partinë, për ta bërë hapjen brutale. Nëse kapacitet e brendshme në territor janë të tilla që e pengojën hapjen, atëherë ne duhet ta imponojmë në një moment kyç, duke i dhënë mundësi të rinjve që përndryshe nuk do të hynin dot.

Kryesocialisti shtoi se në këtë garë elektorale, skuadra e PS-së është ndërtuar duke filluar që nga shtatori i vitit të kaluar dhe se emrat kandidatëve për deputetë erdhën pas një pune në terren të drejtuesve politikë e po ashtu edhe nga platforma “Deputeti që duam”.

Skuadra jonë kombëtare është diçka krejt tjetër, e ndërtuar me shumë kujdes duke nisur qysh nga viti i shkuar në shtator. Kur kemi vendosur drejtuesit politikë, kështu e kemi sistemin, drejtuesit politikë të qarqeve fillojnë dhe bëjnë të gjithë punën studimore të territorit, potencialeve dhe bashkëpunojnë me komunitetet me partinë, me aktorë dhe faktorë të shoqërisë, për të kuptuar se cilat dhe cilët janë kandidatët më të përshtatshëm dhe fillojnë e ndërtojnë komunikime sepse jo të gjithë ata që janë kontaktuar kanë pranuar të futen në politikë. Kështu që drejtuesit politikë kanë ndërtuar një proces, ndërkohë që nga ana tjetër ne kemi lançuar platformën “Deputeti që duam”.

Patëm rreth 500 e kusur aplikime. Pastaj, të gjithëve këtyre që aplikuan, iu drejtuam me një proces të dytë seleksionimi dhe nga kjo dolën afro 250 individë, të cilëve u dhamë mundësinë që të hyjnë e të punojnë në terren. Nga ana tjetër, iu kërkuam që të aktivizohen në rrjetet sociale, për të parë sa të dobishëm do të ishin për skuadrën. Se një gjë është të jesh i zoti dhe me të gjitha të mirat në jetën tënde private dhe gjë tjetër është të futesh në një skuadër e në një betejë publike.