Bota

Londra godet Rusinë me sanksione, në listë individë të lidhur me helmimin e Navalnyt…

Qeveria britanike ka njoftuar vendosjen e sanksioneve ndaj shtatë individëve dhe dy instituteve kërkimore ruse, të cilat akuzohen për përfshirje në zhvillimin dhe prodhimin e armëve kimike të përdorura në helmimin e disidentit rus Alexei Navalny dhe të shtetases britanike Dawn Sturgess.

Sipas Ministrisë së Jashtme britanike, personat dhe institucionet e sanksionuara kanë qenë të përfshira në kërkimin, zhvillimin dhe prodhimin e agjentëve nervorë vdekjeprurës, përfshirë Novichok dhe epibatidinë. Autoritetet britanike pretendojnë se këto substanca janë përdorur në rastet e helmimit të Navalnyt dhe Sturgess.

Britania e Madhe, së bashku me Suedinë, Francën, Gjermaninë dhe Holandën, akuzuan në muajin shkurt Moskën për përdorimin e një toksine të rrallë, epibatidinë, ndaj Alexei Navalnyt. Kritiku i njohur i Kremlinit humbi jetën në vitin 2024 në burg, në rrethana që vazhdojnë të ngjallin debate dhe reagime ndërkombëtare.

Ndërkohë, Dawn Sturgess, një 44-vjeçare britanike, humbi jetën në korrik të vitit 2018 pasi ra në kontakt me substancën Novichok. Ajo konsiderohet viktimë anësore e sulmit ndaj ish-agjentit të dyfishtë rus Sergei Skripal dhe vajzës së tij Yulia në Salisbury të Anglisë. Skripalët i mbijetuan helmimit, ndërsa Sturgess vdiq pasi u ekspozua ndaj neurotoksinës që ishte gjetur në një shishe të hedhur.

Rasti i Salisburyt shkaktoi një krizë të thellë diplomatike mes Londrës dhe Moskës, duke çuar në dëbime reciproke diplomatësh dhe përkeqësim të marrëdhënieve mes dy vendeve.

“Përdorimi i përsëritur i armëve kimike nga Rusia përbën një shkelje flagrante të së drejtës ndërkombëtare dhe një kërcënim të menjëhershëm për sigurinë globale”, deklaroi ministrja e Brendshme britanike, Yvette Cooper.

Dy institucionet e përfshira në paketën e re të sanksioneve janë instituti kërkimor SC Signal dhe instituti kërkimor mjekësor GNIII VM. Sipas autoriteteve britanike, shtatë individët e sanksionuar mbajnë poste drejtuese në këto institucione dhe dyshohet se kanë luajtur rol kyç në programet kërkimore të lidhura me agjentët kimikë.

Njoftimi i Londrës vjen në prag të Samitit të NATO-s në Ankara, ku një nga temat kryesore të diskutimit pritet të jetë lufta në Ukrainë dhe siguria euroatlantike.

Sipas Ministrisë së Jashtme britanike, që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës, Mbretëria e Bashkuar ka vendosur sanksione ndaj më shumë se 3,400 individëve, kompanive dhe organizatave të lidhura me Rusinë.