Aktualitet

Makina përplaset me autoambulancën në Shkodër – Koplik, një viktimë!

Një aksident me pasojë vdekjen e një personi u shënua mëngjesin e sotëm në aksin Shkodër – Koplik, pranë fshatit Gruemirë. Një makinë u përplas me një autoambulancë. Viktimë mbeti drejtuesi i autoveturës. Policia shkoi në vendngjarje për zbardhjen e rrethanave.

Më herët, një aksident rrugor me një të plagosur u shënua në aksin Fier-Libofshë, pranë repartit të FNSH-së. Në mëngjes, një motomjet goditi nga pas një makinë tip Opel dhe si pasojë e përplasjes së fortë, drejtuesi i motorit mbeti i plagosur. I lënduari u transportua me autoambulancë në Spitalin Rajonal të Fierit, për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore. Në vendngjarje shkoi policia, që nisi punën për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit.

Viti i kaluar u mbyll me 1 mijë e 666 aksidente rrugore, nga të cilët janë aksidentuar 1 mijë e 525 persona. Referuar raportit të INSTAT-it gjatë periudhës janar-dhjetor 2024, vdekshmëria në aksidente rrugore është 10,5 për 100 aksidente, nga 14,9 që ishte në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Aksidentet rrugore, në 89,3 % të rasteve, kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së drejtuesit të mjetit. Numri më i lartë i aksidenteve, në këtë periudhë, është kryer nga grup-moshat 0-24 dhe 25-34 vjeç, duke zënë secila nga 24,2 % të numrit të aksidenteve gjithsej.