Sport

“Mallkim” apo lavdi, Kupa vë përballë dy rivalët më të fortë, Egnatia- Partizani!

Para ca vitesh, ato dy skuadra ecnin në udhë të ndryshme. Njëra në “rrugët dytësore”, me kthesa e malore, tjetra në “pistë”.

Por ja që, ashtu siç askush nuk do ta kishte imagjinuar, madje as ëndërruar, Egnatia ka ardhur aty, në atë “pistën” ku garohet për lavdinë më të madhe dhe ku suksesi përkthehet me histori dhe miliona. Sot Partizani dhe Egnatia janë rivalet më të forta të njëra tjetrës prej dy vitesh. Gjithçka nisi parvjet në Superkupë, ku Partizani arriti të fitojë trofeun honorifik kundër rrogozhinasve në finale. Skuadra e Tetovës mori revanshin në fund të sezonit të vjetshëm me një fitore gjigante me gol të Ibrahimoglu, duke bërë të vetin titullin e parë kampion në finalen e madhe të Superiores.

VAZHDON – Rivaliteti vazhdon edhe në këtë sezon dhe, kur po i afrohemi fundit, gjithçka arrin kulmin. Brenda këtij muaji, Partizani dhe Egnatia do të ndeshen tri herë. Dy ndeshje do të zhvillohen në “Arenën e Demave” dhe një në “Arena Egnatia”. E para e kësaj serie zhvillohet nesër në Rrogozhinë, në orën 19:00. Luhet gjysmëfinalja e Kupës dhe skuadrat kanë synim të njëjtë, por kauza të ndryshme.

DOMINIM DHE CIKËL – E thotë fusha, e thonë specialistët, e thonë shifrat. Egnatia është skuadra për t’u mundur edhe në këtë sezon. Ekipi i Tetovës po e mban kreun pa shumë vështirësi dhe duke menaxhuar edhe forcat e saj për fundin e sezonit. Me cilësitë që ka dhe kushtet që këtij ekipi i janë ofruar, Egnatia po synon të ndërtojë një cikël të gjatë fitues. Pas tripletës së vjetshme rrogozhinasit do të kërkojnë ta përsërisin këtë sukses, që kalon sërish nga… Partizani. Luhet gjysmëfinalja e parë e Kupës dhe rrogozhinasit nuk lëshojnë terren.

MALLKIMI – Për Partizanin e këtij sezoni, plot vështirësi, ndryshime e ndalesa, edhe Kupa do të ishte një sukses që do t’i kënaqte jo pak drejtuesit. Gjithashtu, edhe tifozët do të ngushëlloheshin me një trofe, që mungon prej plot 21 vitesh. Përveçse një objektiv, për Partizanin, Kupa është edhe një mallkim i madh për tu thyer. Përpara ka rivalin më të fortë në letër dhe Gegës i duhet të gjejë formulën fituese, ndoshta duhet të bëjë një “shpikje” të madhe.