Rajoni

Maqedoni e Veriut, sot i jepet lamtumira viktimave të zjarrit në Koçan!

Në Maqedoninë e Veriut, sot i jepet lamtumira e fundit viktimave të zjarrit tragjik në qytetin lindor, Koçan, fundjavën e kaluar. 59 persona gjetën vdekjen dhe 155 të tjerë u lënduan si pasojë e shpërthimit të zjarrit në një klub nate, në orët e para të 16 marsit.

Kreu i Kishës Ortodokse Maqedonase, kryepeshkopi Stefan bëri thirrje për unitet dhe lutje pas tragjedisë në Koçan. Qeveria shpalli 7 ditë zie ndërsa shumica e viktimave ishin të rinj. Autoritetet premtuan hetim të shpejtë e të plotë, si dhe kanë arrestuar 23 dyshuar deri tani. 11 prej tyre ndodhen në paraburgim.

Ata kanë zbuluar se ky klub operonte në mënyrë të paligjshme, nuk kishte dokumente të vlefshme për punë, nuk dispononte leje për përdorimin e piroteknikës dhe nuk kishte nënshkruar kontratë me grupin muzikor. Ndër shkeljet e konstatuara është edhe lejimi i të miturve në mjediset e tij.

Rreth 500 njerëz ndodheshin në klubin e natës kur shpërtheu zjarri në kohën kur po përformonte grupo ADN. Ndërkohë, të gjithë të lënduarit në zjarrin e Koçanit po mjekohen në vend dhe në qendrat e specializuara mjekësore jashtë Maqedonisë së Veriut.

Ministria e Shëndetësisë e vendit fqinj njoftoi dje se 64 pacientë janë duke u mjekuar në institucionet publike shëndetësore në vend, si dhe janë në gjendje relativisht të qëndrueshme. Ndërkaq, 13 të tjerë janë duke marrë trajtim në objektet shëndetësore private dhe 101 pacientë po mjekohen jashtë vendit.

Viktimat do të varrosen në pjesë të ndryshme të vendit, përfshirë Koçanin, Shtipin, Shkupin, Strumicën dhe fshatin Obleshevë.