Kosova, Shqipëria dhe Kroacia nënshkruan më 18 mars në Tiranë një marrëveshje tripalëshe ushtarake që synon të forcojë aftësitë mbrojtëse të tre vendeve dhe të rrisë bashkëpunimin në industrinë e mbrojtjes. Marrëveshja u nënshkrua nga Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu, ai i Kroacisë Ivan Anushi dhe homologu i Kosovës Ejup Maqedonci.
Por kjo marrëveshje për presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç është në shkelje të një marrëveshjeje nënrajonale dhe shtoi se është i sigurt se NATO-ja nuk ishte e informuar për këtë gjë.
“Kjo është shkelje e të ashtuquajturës marrëveshje nënrajonale për kontrollin e armëve nga viti 1996, por ne kemi parë nga reagimet e Kroacisë dhe disa pjesëve të tjera të rajonit se ata nuk janë shumë të interesuar për të. Jam pothuajse i bindur se NATO-ja as që ishte e informuar dhe se as që u është thënë se cilat marrëveshje janë shkelur.
Na takon neve, për më tepër, t’i theksojmë Rutte dhe njerëzve në NATO dhe gjithë të tjerëve se kjo është një shkelje e asaj që është pranuar, nënshkruar dhe respektuar që nga viti 1996. Na takon neve të kuptojmë realitetin dhe të përgatitemi për të ardhmen në përputhje me rrethanat”, u shpreh më tej presidenti serb gjatë një vizite në Bruksel.
Por, ky nuk është reagimi i parë i Serbisë për këtë marrëveshje. Pak ditë më parë, Ministria e Punëve të Jashtme e Serbisë e ka cilësuar atë marrëveshje si një ‘provokim’. Ministria tha se do t’u dërgojë kërkesë urgjente ministrive të Jashtme të Kroacisë dhe Shqipërisë, duke kërkuar shpjegim të detajuar lidhur me nënshkrimin e memorandumit trepalësh.
Por, këtyre deklaratave u është përgjigjur ministri i Mbrojtjes së Kroacisë Ivan Anusiç, i cili tha se vendi i tij nuk i detyrohet asnjë shpjegim Serbisë, madje duke shtuar se “ka ikur ajo kohë kur ata e pyesnin Beogradin se çfarë do të bënin”.
“Ka kaluar koha kur ne pyesnim Beogradin se çfarë do të bënim. Shqipëria është aleati ynë në NATO dhe Kosova është vendi ynë mik që ne e kemi njohur”, shtoi Anusiç.
Ndërkohë, një reagim ka ardhur edhe nga ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, e cila e ka dënuar ashpër deklaratën e fundit të Serbisë në lidhje me memorandumin trepalësh të nënshkruar mes Kosovës, Kroacisë dhe Shqipërisë.
Në një reagim zyrtar, MPJD e cilësoi deklaratën serbe si agresive dhe kërcënuese, duke theksuar se ajo përbën një shkelje të hapur të Marrëveshjes së Brukselit dhe dëshmon mungesën e vullnetit të Serbisë për dialog të mirëfilltë.
Sipas autoriteteve kosovare, Serbia po minon marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe po tenton të ndikojë mbi shtete sovrane si Kroacia dhe Shqipëria, të dyja anëtare të NATO-s.\ Po ashtu, Kosova akuzon Serbinë për përshkallëzimin e tensioneve rajonale, duke kujtuar rolin e saj në konfliktet e viteve ‘90 dhe mbështetjen e rrjeteve kriminale në veri të Kosovës.
“Serbia vazhdon të sillet si një fuqi dominuese në Ballkan dhe të përzihet në marrëdhëniet ndërkombëtare të Kosovës, në kundërshtim me angazhimet e saj ndërkombëtare,” thuhet në reagimin e MPJD-së. Duke bërë deklarata të tilla, Serbia minon angazhimet e saj për ndërtimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore me Kosovën dhe për njohjen e institucioneve dhe kornizës ligjore të Kosovës si të vetmet autoritete të vlefshme brenda vendit tonë.
Për më tepër, retorika e Serbisë është e mbushur me tone hegjemoniste, pasi ajo përpiqet të paraqitet si fuqia dominuese në Ballkanin Perëndimor, duke kërkuar shpjegime nga Kroacia dhe Shqipëria—dy shtete sovrane, të dyja anëtare të NATO-s, me Kroacinë gjithashtu anëtare e Bashkimit Evropian. Kjo sjellje është tërësisht e papranueshme dhe përbën një tjetër shkelje të Marrëveshjes së Brukselit, e cila parashikon qartë se Serbia nuk do të pengojë marrëdhëniet ndërkombëtare të Kosovës dhe nuk do të pretendojë të flasë në emër të Kosovës në marrëdhëniet me shtete dhe organizata të tjera.
Por, deklaratave të Serbisë, dje i është përgjigjur edhe ministri i Mbrojtjs, Pirro Vengu. Ministri Vengu tha se Serbia e ka humbur shancin për t’u konsultuar që nga momenti që nuk merr pjesë në takime. Ministri deklaroi se nëse Serbia do të konsultohet, duhet të ulet në tryezën e dialogut.
“Nuk është një marrëveshje që parashikon një qasje agresive ndaj dikujt tjetër në rajon. Ne nuk e shohim veten si aleancë kundër dikujt, por është për të rritur nivelet e mbrojtjes. Serbia e ka humbur shancin për t’u konsultuar nga momenti që zbaton politikën e karriges boshe në takimet rajonale. Nuk ka pse konsultohet kur bëhet një marrëveshje e përbashkët. Kosova njihet nga Kroacia. Serbia nëse do të konsultohet të vijë të ulet në tryezë”, tha ministri.